Deklaratë e kryetares së Lëvizjes së Gruas për Integrim (LGI) në Partinë e Lirisë, Myrvete Asqeri, e cila akuzon qeverinë për dështim në menaxhimin e mbetjeve dhe situatën e rënduar nga plehrat në Tiranë. Asqeri kërkon transparencë dhe përgjegjësi për fondet publike të sh Deklarata: Përshëndetje!
Tirana po mbytet nga plehrat, ndërsa qeveria vazhdon të shesë propagandë për një “Tiranë europiane”. Ky është realiteti i një pushteti që ka dështuar edhe në shërbimin më elementar, të mbajë të pastër kryeqytetin. Kazanë të tejmbushur, mbetje të hedhura në rrugë e trotuare, plehra pranë banesave dhe një situatë që rëndon çdo ditë mbi jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Por skandali bëhet edhe më i rëndë kur përballë këtij realiteti kujtojmë inceneratorin fantazmë të Tiranës, një projekt që nuk u ndërtua, por që prej vitesh vazhdon të jetë simbol i mënyrës se si paratë publike mund të gllabërohen pa u dhënë qytetarëve shërbimin për të cilin paguajnë.
Miliona euro janë derdhur nga buxheti i shtetit për një incenerator që nuk ekziston, ndërsa plehrat ekzistojnë kudo në rrugët e Tiranës. Ky është absurdi i kësaj qeverisjeje: Inceneratori nuk është, por pagesat janë. Fabrika nuk është, por faturat janë. Shërbimi mungon, por taksat paguhen. Plehrat janë në rrugë, ndërsa paratë janë zhdukur.
Sa më shumë shqiptarët paguajnë, aq më pak marrin në këmbim. Kjo nuk është thjesht paaftësi administrative. Është një model i qeverisjes ku qytetarit i kërkohet të paguajë gjithmonë e më shumë, ndërsa për çdo dështim mungon përgjegjësia.
Si mund të justifikohet që qytetarët e Tiranës të përballen me kazanë të tejmbushur, kur për menaxhimin e mbetjeve janë shpenzuar shuma të jashtëzakonshme nga paratë publike? Kush përgjigjet për këto miliona? Kush kontrollon kontratat? Kush kontrollon pagesat?
Dhe mbi të gjitha: pse shqiptarët duhet të vazhdojnë të paguajnë për një incenerator fantazmë, ndërkohë që Tirana mbytet nga plehrat? Qeveria duhet të ndalojë menjëherë propagandën dhe të japë llogari për çdo qindarkë të taksapaguesve.
Partia e Lirisë kërkon transparencë të plotë mbi fondet, kontratat dhe pagesat e kryera për menaxhimin e mbetjeve dhe inceneratorin e Tiranës, si dhe përgjegjësi institucionale dhe ligjore për çdo abuzim me paratë publike. Tirana nuk ka nevojë për fasada dhe propagandë. Ka nevojë për një qytet të pastër, shërbime funksionale dhe një pushtet që u jep llogari qytetarëve.
Sot, pamja e Tiranës është fytyra e këtij dështimi. Plehrat në rrugë, miliona në kontrata dhe një incenerator fantazmë që vazhdon të gllabërojë paratë e shqiptarëve. Kjo nuk mund të quhet qeverisje. Është abuzim me qytetarin dhe me taksat e tij. Faleminderit!
