Luis Henrique është pranë qëndrimit te Interi dhe, nëse nuk ka zhvillime të minutave të fundit, do të vazhdojë sezonin me kampionët e Italisë. Braziliani nuk do të transferohet te Roma, e cila ndërkohë ka arritur marrëveshje me Fenerbahçen për Oosterwolde. Trajneri Cristian Chivu vlerëson te Luis Henrique shkathtësinë, fizikën dhe aftësinë për të luajtur në disa pozicione.
Ndryshe është situata e Kristjan Asllanit. Mesfushori shqiptar nuk konsiderohet pjesë e planeve të Interit dhe pritet të gjejë një destinacion të ri gjatë kësaj jave. Një nga mundësitë është Monza, edhe pse klubi nga Lombardia ka prioritete të tjera për momentin dhe ende nuk ka një marrëveshje të mbyllur.
Për Asllanin, largimi shihet si një mundësi për të vijuar karrierën në një skuadër ku mund të ketë më shumë hapësira dhe minuta. Edhe mesfushori Yanis Massolin pritet të largohet në huazim, me Monzën sërish si një mundësi. Për sulmuesin e ri Idrissou po shqyrtohet një huazim në Serie B, ndërsa Modena shihet si destinacioni më i mundshëm.
Për merkaton në hyrje, Interi nuk e ka mbyllur përfundimisht çështjen e sulmuesit të pestë dhe do të monitorojë mundësitë e fundit të merkatos. Një nga emrat që mund të shfaqet në këtë fazë është Federico Chiesa.
