Aleanca ka zhvilluar të dielën një aktivitet simbolik para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke hedhur thëngjill para hyrjes së institucionit, në shenjë proteste për situatën energjetike dhe politike në vend. Sipas Aleancës, aksioni synon të përcjellë mesazhin se Kosova po përballet jo vetëm me probleme në sektorin e energjisë, por edhe me atë që kjo parti e cilëson si “terr politik”.
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, tha se vendi gjatë viteve të fundit ka kaluar nga “terri energjetik” në “terr politik”. “Me Kurtin dhe me Vetëvendosjen, gjashtë-shtatë vitet e fundit Kosova është në terr energjetik, që e ka mbajtur, po kalon në terr politik”, deklaroi ai.
Ramadani tha se thëngjilli është përdorur si simbol i pasurive energjetike të Kosovës, duke kritikuar mungesën e investimeve në prodhimin vendor të energjisë. Sipas tij, Kosova “fle mbi qymyr”, por vazhdon të importojë energji elektrike. Ai bëri të ditur se një prej pikave të ofertës gjashtëpikëshe të Aleancës është ndërtimi i një termocentrali të ri.
Ramadani pretendoi gjithashtu se gjatë viteve të fundit rreth një miliard euro janë shpenzuar për blerjen e energjisë nga Serbia dhe vende të tjera, duke akuzuar se nga kjo situatë kanë përfituar grupe të lidhura me tregtinë e energjisë. Ai e lidhi kritikën edhe me aksidentet fatale të punëtorëve në sektorin energjetik, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe menaxheriale.
Aleanca paralajmëroi se aktivitetet simbolike do të vazhdojnë dhe se në ditët në vijim ato mund të shtohen në numër dhe intensitet. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
