Një termocentral në Britani mbeti jashtë funksionit për katër ditë pas një sulmi kibernetik që dyshohet se u krye nga hakerë të lidhur me Iranin, sipas një raporti të Telegraph. Incidenti ndodhi në korrik dhe konsiderohet një nga sulmet më serioze kibernetike ndaj infrastrukturës energjetike britanike.
Gazeta nuk e ka bërë publik emrin e objektit, por sipas informacioneve të disponueshme bëhet fjalë për një njësi me kapacitet të vogël, ndërprerja e së cilës nuk ndikoi në funksionimin e rrjetit elektrik. Sipas raportit, kjo është hera e parë që hakerë të lidhur me Iranin kanë arritur të ndërpresin funksionimin e një termocentrali britanik për një periudhë kaq të gjatë.
Sulmi ndodhi në një kohë kur janë regjistruar përpjekje të ngjashme ndaj infrastrukturës kritike në SHBA, përfshirë sistemet e menaxhimit të ujit. Aktiviteti ka ngritur shqetësime te autoritetet amerikane dhe britanike për rritjen e kërcënimit kibernetik ndaj infrastrukturës jetike.
Agjencitë britanike dhe amerikane të inteligjencës kanë paralajmëruar vazhdimisht për aktivitetin e grupeve të hakerëve të lidhura me Rusinë, Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut, të cilat synojnë agjenci qeveritare dhe infrastrukturë kritike. Në të kaluarën, sulmet kibernetike kanë shkaktuar ndërprerje në sistemet e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar britanik, shkolla dhe objekte industriale.
Ndër kompanitë e prekura ka qenë edhe Jaguar Land Rover, ndërsa grupe të huaja hakerësh kanë siguruar akses në të dhënat e klientëve të kompanive britanike të shitjes me pakicë dhe në të dhënat e votuesve të Komisionit Zgjedhor.
