Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Meta, Mark Zuckerberg, së bashku me bashkëshorten e tij, Priscilla Chan, kanë blerë një nga rezidencat historike më të veçanta në Irlandë. Vlera e pronës raportohet të jetë mes 23 dhe 35 milionë dollarëve.
Bëhet fjalë për Strancally Castle, një rezidencë që shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 16 mijë metrash katrorë dhe që është ndërtuar rreth vitit 1830 për John Keeley, ish-politikan konservator britanik. Përveç arkitekturës dhe historisë së saj, prona është përmendur edhe në rrëfime të vjetra lokale.
Shkrimtari anglez William Howitt kishte shkruar për tregime që lidhnin zonën me të ashtuquajturat Kështjella Desmond, fortesa mesjetare të përdorura nga Kontët e Desmond në Irlandë. Sipas këtyre tregimeve, në zonë kanë qarkulluar rrëfime për ngjarje të dhunshme dhe fatkeqësi që pretendohet se u kishin ndodhur vizitorëve.
Megjithatë, bëhet fjalë për tregime të trashëguara ndër breza dhe jo për fakte të konfirmuara historikisht. Sot, Strancally Castle pritet të nisë një kapitull të ri nën pronësinë e Mark Zuckerbergut dhe Priscilla Chan. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
