Britania e Madhe, Australia dhe Kanadaja kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të autoriteteve ushtarake izraelite për të mos hapur hetim penal lidhur me sulmin ajror të prillit 2024 ndaj një autokolone të organizatës humanitare World Central Kitchen (WCK) në Gaza, ku u vranë shtatë punëtorë humanitarë.
Tri shtetet e kanë cilësuar vendimin si “të turpshëm”, duke theksuar se viktimat dhe familjet e tyre meritojnë drejtësi dhe përgjegjësi për vdekjet. “Ky vendim është njëkohësisht shumë pak dhe shumë vonë. Viktimat e këtij incidenti dhe familjet e tyre meritojnë drejtësi dhe përgjegjësi, dhe ne do të vazhdojmë të kërkojmë përgjigje në emër të tyre”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se sulmi ndaj World Central Kitchen është vetëm një nga shumë incidentet në Gaza për të cilat, sipas tri qeverive, nuk ka pasur përgjegjësi. Shtatë punëtorët humanitarë u vranë pasi automjetet e WCK-së u goditën nga sulmet ajrore izraelite. Mes viktimave kishte shtetas britanikë, australianë, polakë dhe amerikanë.
Në Londër, Ministria e Jashtme britanike tha se ishte “e tmerruar dhe e zemëruar” në emër të familjeve të tre shtetasve britanikë të vrarë – John Chapman, James Henderson dhe James Kirby.
Qeveria australiane shprehu “indinjatë” për vendimin, ndërsa familjarët e Zomi Frankcom, punonjëses australiane të vrarë në sulm, thanë se ajo meritonte më shumë sesa një “proces të brendshëm dhe jo transparent”. Edhe Polonia shprehu zhgënjim të madh dhe kërkoi bashkëpunim nga autoritetet izraelite në hetimet polake për incidentin.
Mes viktimave ishte edhe Damian Soból, vullnetar nga Przemyśl. World Central Kitchen ka deklaruar se nuk ka pasur kurrë asnjë justifikim për sulmin, duke theksuar se lëvizja e automjeteve të saj ishte koordinuar paraprakisht me ushtrinë izraelite dhe se makinat mbanin logon e organizatës të dukshme nga ajri.
Ushtria izraelite tha se ushtarët kishin ngatërruar disa persona në automjete me operativë të armatosur të Hamasit dhe pretendoi se autokolona kishte devijuar nga rruga e koordinuar. Megjithatë, ushtria arriti në përfundimin se vendimet e komandantëve nuk krijonin “dyshim të arsyeshëm për sjellje kriminale”. Dy oficerë u larguan nga detyra pas incidentit, ndërsa tre të tjerë u qortuan.
Reagimet vijnë në një kohë kur Gaza vazhdon të konsiderohet një nga vendet më të rrezikshme në botë për punëtorët humanitarë. Sipas deklaratës së përbashkët të Britanisë, Australisë dhe Kanadasë, vetëm gjatë vitit 2025 janë vrarë 186 punëtorë humanitarë në Gaza.
Në një zhvillim tjetër, ushtria izraelite ka pranuar se trupat e saj hapën zjarr ndaj një veture ku ndodhej pesëvjeçarja Hind Rajab dhe gjashtë anëtarë të familjes së saj në vitin 2024, duke njoftuar se ka urdhëruar hetim penal për rastin. Hind Rajab vdiq më , pasi kishte kaluar rreth tre orë në telefon duke kërkuar ndihmë nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze.
Në sulm u vranë edhe të gjithë personat e tjerë që ndodheshin në automjet. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!