Quévin Castro, një futbollist portugez që luante për Real SC në divizionin e dytë të vendit të tij, ndërroi jetë këtë mëngjes gjatë një ndeshjeje miqësore kundër Estrela da Amadora në stadiumin “Estádio das Seixas” në Malveira. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta sportive portugeze “A Bola”. Ngjarja ndodhi vetëm 10 minuta pas fillimit të ndeshjes, kur mesfushori u shemb papritur.
Stafi mjekësor i të dyja klubeve nxitoi t’i vinte në ndihmë lojtarit dhe përdori një defibrilator, por përpjekjet për reanimim rezultuan të pasuksesshme. Castro u shpall i vdekur në spital, pasi ishte transportuar atje nga ekipet e urgjencës së Institutit Kombëtar të Mjekësisë së Urgjencës të Portugalisë.
Estrela da Amadora lëshoi një deklaratë ku shprehte “pikëllim të thellë” për ndarjen e tij nga jeta dhe ofronte “ngushëllime të sinqerta për familjen dhe miqtë e Quévin-it”..
