Një gjykatë federale në SHBA ka rrëzuar politikën e administratës së Donald Trump për pezullimin e vizave të emigracionit për shtetasit e 75 vendeve, duke e cilësuar atë në kundërshtim me ligjin. Gjykatësja federale Jeannette Vargas, nga Gjykata Federale e Distriktit në Manhattan, vendosi se Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte tejkaluar kompetencat ligjore me këtë politikë.
Departamenti i Shtetit kishte pezulluar në janar lëshimin e vizave të emigracionit për shtetasit e afro 40% të vendeve të botës, mes tyre Brazili, Kolumbia, Egjipti, Haiti, Somalia, Rusia, por edhe Shqipëria, shkruan CNN. Administrata argumentoi se masa synonte të parandalonte hyrjen e personave që mund të mbështeteshin në ndihmat sociale të qeverisë amerikane.
Por gjykatësja Vargas tha se ligji kërkon që çdo aplikant të vlerësohet individualisht, duke marrë parasysh gjendjen financiare, moshën, shëndetin, aftësitë dhe rrethanat familjare. Sipas dokumenteve të çështjes, Rubio kishte udhëzuar zyrtarët konsullorë të refuzonin vizat edhe kur aplikantët paraqisnin prova se mund të përballonin vetë shpenzimet dhe nuk do të bëheshin barrë për shtetin.
“Rezultati është i paracaktuar. Viza do të refuzohet”, shkroi Vargas në vendimin e saj. Gjykatësja argumentoi gjithashtu se politika binte ndesh me një ligj të vitit 1965 që ndalon diskriminimin mbi bazën e kombësisë në lëshimin e vizave.
Vendimi prek vizat e emigracionit për personat që synojnë të bashkohen me familjarët ose të punojnë në SHBA, por nuk përfshin vizat joemigruese, si ato turistike apo studentore. Administrata mund ta apelojë vendimin. Palëve u është dhënë afat deri më 11 shtator për të propozuar hapat e mëtejshëm për zgjidhjen e çështjes.
