Flamurtari barazoi së fundmi në miqësore përballë Kukësit me shifrat 3-3, pasi ishte në disavantazh 3-0. Në një prononcim për mediat ka folur edhe trajneri i vlonjatëve, Oltijon Kërnaja, duke “hedhur dritë” mbi fazën përgatitore të kuqezinjve, e cila u zhvillua në Tropojë.
“Të them të drejtën, e kishim vlerësuar këtë test vetëm për t’i dhënë ritëm ekipit, sepse jemi në ditën e fundit të fazës intensive përgatitore. Prej 20 ditësh kemi punuar me nga dy seanca në ditë dhe lojtarët janë shumë të ngarkuar fizikisht. Për këtë arsye dolëm vetëm që të kishim pak ritëm, pasi në këtë ndeshje ndoshta ndikoi edhe rruga e kthimit nga Tropoja në Kukës.
Me fillimin e ndeshjes nuk ishim aty ku duhet, në ritmin dhe agresivitetin tonë si ekip. Janë gjëra që do të përmirësohen dhe prandaj jemi në punë për të bërë më të mirën. Flamurtari është thuajse drejt fundit të përgatitjeve dhe presim shumë shpejt edhe afrimin e dy lojtarëve për ta mbyllur këtë proces. Flamurtari është aty, ekipi është gati dhe faza përgatitore ka shkuar shumë mirë.
Ekipi është në gjendje të mirë dhe djemtë janë të gatshëm. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se kishim edhe dy-tre elementë kryesorë që mungonin në këtë miqësore. Ne nuk kishim ardhur për rezultat në këtë test. Kishim ardhur vetëm për t’i dhënë ritëm ekipit dhe mendoj se kjo gjë funksionoi”, tha Kërnaja.
