Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një takim me komunitetin arbëresh në San Marzano di San Giuseppe, në provincën e Tarantos, duke vlerësuar rolin e tij në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare ndër shekuj. Gjatë vizitës, Begaj u prit nga autoritetet vendore dhe banorët e San Marzanos.
Në nisje të takimit, ai vendosi një kurorë pranë bustit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në shenjë nderimi për figurën e lidhur me qëndresën dhe lirinë e shqiptarëve. Në fjalën për komunitetin arbëresh, Presidenti solli në vëmendje historinë e gjatë të shqiptarëve në Itali dhe mënyrën se si ata kanë ruajtur identitetin e tyre duke u integruar në shoqërinë italiane.
“Italianët u hapën dyert. Shqiptarët sollën me vete pasurinë që askush nuk mund t’ua merrte, që lidhet me gjuhën, besimin, zakonet dhe kujtesën. Gjetën një atdhe të dytë, por nuk e humbën kurrë të parin”, u shpreh Begaj. Sipas tij, për pesë shekuj arbëreshët kanë shërbyer si lidhje mes Shqipërisë dhe Italisë, duke ruajtur një pjesë të identitetit shqiptar larg vendit të origjinës.
Begaj u ndal veçanërisht te gjuha arbëreshe dhe nevoja që ajo të vazhdojë të flitet në familje dhe të përcillet te brezat e rinj. “Një gjuhë nuk mbijeton vetëm në libra apo në ligje. Ajo mbijeton kur prindërit ua flasin fëmijëve dhe kur gjyshërit ua mësojnë nipërve”, tha Presidenti.
Ai kërkoi që arbërishtja të mos mbetet vetëm pjesë e kujtesës historike, por të përdoret edhe në jetën e përditshme. “Arbërishtja nuk mund të mbetet vetëm gjuhë e kujtesës, por edhe e të sotmes dhe të ardhmes, e jetës praktike dhe e ndërlidhjes midis gjeneratave”, u shpreh Begaj.
Në takimin me arbëreshët, Presidenti foli edhe për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë, duke e lidhur miqësinë e sotme mes dy vendeve me historinë e komuniteteve arbëreshe. “Por themeli i kësaj miqësie nuk u vendos në tryezat diplomatike të shekullit XXI. Ky themel u vendos shekuj më parë në vatrat arbëreshe”, tha Begaj.
Në përfundim, ai e cilësoi ruajtjen e kësaj trashëgimie si një përgjegjësi të përbashkët të komunitetit, institucioneve, universiteteve, medias, Shqipërisë, Kosovës dhe diasporës.
