Rihanna tërhoqi vëmendjen me stilin e saj elegant, teksa u fotografua duke dalë nga hoteli në New York së bashku me partnerin e saj, ASAP Rocky, dhe vajzën e tyre 11-muajshe, Rocki. Këngëtarja 38-vjeçare kishte zgjedhur një xhaketë rozë Miu Miu, të cilën e kombinoi me pantallona të shkurtra të zeza, taka të larta dhe vathë të mëdhenj në formë rrethi.
Ndërkohë, ASAP Rocky u shfaq si një baba i përkushtuar, duke mbajtur në krahë vajzën e tyre të vogël dhe sediljen e makinës, shkruan DailyMail. Çifti, i cili është në një lidhje prej rreth gjashtë vitesh, ka edhe dy djem, RZA, 4 vjeç, dhe Riot, 3 vjeç.
Dalja familjare vjen pak kohë pasi Rihanna ndau në rrjetet sociale fotografi të rralla me të tre fëmijët e saj gjatë një vizite në Barbados, vendin ku ajo u rrit. Në vitin 2017, rruga e fëmijërisë së saj në Bridgetown u riemërtua “Rihanna Drive” në nder të këngëtares.
