Kurti prezanton projektin e banimit social adekuat, flet edhe rreth

0%

– Kurti: Sot pasdite takohem me komandantin e KFOR-it për hapjen e Urës së Ibrit Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për procesin e hapjes së plotë të Urës së Ibrit dhe kalimin e saj nën kontrollin e Policisë së Kosovës Kurti, i pyetur nga media në konferencën për media ka bërë të ditur se institucionet e Kosovës janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in, ndërsa ka paralajmëruar edhe një takim me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Özkan Ulutaş.

“Sa i përket itinerarit për hapjen e plotë të urës, përkatësisht marrjen në kontroll tërësisht nga ana e Policisë së Kosovës, ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in. Unë sot pasdite kam edhe një takim në Kryeministri me gjeneralin e KFOR-it, përkatësisht komandantin Özkan Ulutaş” , ka deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar se komunikimi ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it është i përditshëm, me qëllim që procesi të zhvillohet pa incidente. “Pra, jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Punëve të Brendshme, në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë dhe paqësore”, ka thënë ai.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kurti ka vlerësuar se mbajtja e Urës së Ibrit të mbyllur për qarkullim është bërë e pakuptimtë, sidomos pas ndërtimit të urave të reja në atë pjesë. “Duhet të përkujtojmë që, pas ndërtimit të urave të reja, është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur.

Fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm përmes këtyre urave të reja dhe nuk ka pasur asnjë incident apo tension, tregon se qarkullimi i njerëzve dhe i mallrave, liria gjithnjë e më e madhe e lëvizjes, është e dobishme jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen dhe sigurinë” , ka deklaruar Kurti. – Kurti për aksionin në veri: Armatimi ilegal me tyta të gjata nuk është për hajr, por veç për sherr!

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar si të jashtëzakonshme punën e Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas konfiskimit të një arsenali të madh armësh dhe municioni në veri të vendit.

Kurti, i pyetur nga Indeksonline në konferencën për media, tha se në Kosovë ka pasur procese të çarmatimit dhe grumbullimit të armëve ilegale në periudha të ndryshme, por sipas tij, situata në veri ka qenë e veçantë. “Ne në Republikën tonë kemi pasur çarmatosje, grumbullim të armëve anembanë Kosovës, por jo në veriun e Kosovës.

Në këto tri vitet e fundit kemi aksione të shumta policore, të cilat praktikisht po marrin armë në duart e atyre që janë ose kriminelë, ose potencialisht kriminelë” , deklaroi Kurti. Ai theksoi se posedimi ilegal i armëve të gjata përbën rrezik serioz për sigurinë publike. “Armatimi ilegal me tyta të gjata nuk është për hajr, por veç për sherr”, u shpreh kryeministri.

Kurti e cilësoi si rezultat të rëndësishëm të institucioneve të sigurisë operacionin e fundit në veri, ku Policia e Kosovës, në bashkëpunim me AKI-në, Prokurorinë dhe institucionet e tjera, ka zhvilluar kontrolle në disa lokacione.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë operacioneve të zhvilluara nga 6 deri më 17 gusht në zonën e Zubin Potokut janë kontrolluar 45 lokacione, ndërsa janë konfiskuar 72 armë, mijëra copë municion, granata, pjesë armësh, pajisje dhe uniforma ushtarake.

“Është punë e jashtëzakonshme e Policisë dhe AKI-së”, tha Kurti, duke vlerësuar angazhimin e institucioneve të sigurisë në identifikimin dhe sekuestrimin e armëve ilegale në veri.

Operacionet e fundit kanë marrë rëndësi të veçantë edhe për shkak se arsenali është gjetur në zonën ku gjatë javëve të fundit janë zbuluar tri lokacione me mbetje mortore, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet për lidhjet e mundshme mes armëve dhe rasteve të krimeve të luftës janë ende në zhvillim. – Kurti prezanton projektin e banimit social adekuat: 37 milionë € për 21 komuna Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka prezantuar sot projektin për banim social adekuat në Kosovë, për të cilin janë siguruar gjithsej 37 milionë euro, me synim përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet në nevojë.

Kurti tha se projekti përfaqëson një investim të rëndësishëm për dinjitetin e familjeve, barazinë dhe sigurinë sociale, duke theksuar se banimi duhet të trajtohet si pjesë e politikave sociale të shtetit. “Një familje e cila nuk mund të ndihet e sigurt, atëherë duhet patjetër të bëhemi si shtet strehë për të.

Një familje që nuk mund të ketë mundësi të barabarta, atëherë duhet që ne të sigurojmë patjetër kushte të përshtatshme banimi” , deklaroi Kurti, në konferencën e përbashkët me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli Dalipi, dhe me ministrin për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, zotërinë Andin Hoti.

Ai tha se qeveria gjatë mandatit të saj ka ndërmarrë masa të ndryshme për mbështetjen e familjeve, veçanërisht atyre me fëmijë dhe familjeve që përballen me vështirësi ekonomike. “Mbështetja për një familje nuk është vetëm një pagesë mujore, mbështetja është edhe mundësia që ajo familje të ketë strehim të përshtatshëm, të sigurt e dinjitoz”, u shpreh ai.

Sipas Kurtit, projekti është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qendrore, komunave dhe partnerëve ndërkombëtarë. Qeveria, tha ai, ka siguruar 25 milionë euro përmes një marrëveshjeje kredie me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës, ndërsa 12 milionë euro të tjera janë ndarë nga buxheti i Kosovës. “Pra kemi siguruar një fond të përgjithshëm prej 37 milionë euro.

Ky është gjithsesi një investim i madh” , tha Kurti. Ai theksoi se 21 komuna do të përfshihen në projekt dhe se qindra familje pritet të përfitojnë nga ndërhyrjet që do të realizohen. “Sot kemi ardhur në një pikë ku ky angazhim po kalon nga planifikimi dhe përgatitja në fazën konkrete të zbatimit”, tha kryeministri në detyrë.

Kurti shtoi se komunat do të kenë rol të rëndësishëm në zbatimin e projektit, përfshirë procedurat e prokurimit dhe përzgjedhjen e familjeve përfituese.

Burimi: Bota Sot