Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë qëndruar të premten në Kuvend, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive dhe duke kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për bllokadën institucionale.
Sipas tyre, moskonstituimi i Kuvendit nuk mund të trajtohet më si një mosmarrëveshje e zakonshme politike, pasi po krijon shkelje të vazhdueshme të rendit kushtetues. Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se çdo ditë që kalon pa u konstituuar Kuvendi përbën, sipas tij, “djegie të mandatit” të deputetëve të zgjedhur.
Ai akuzoi Kurtin se është vendosur “mbi Kushtetutën dhe institucionet” dhe tha se arsyetimet për tensione të mundshme në Kuvend po përdoren si alibi për zvarritjen e procesit. Haradinaj foli edhe për çështjen e presidentit, duke propozuar që pas kthimit në Kosovë, Hashim Thaçit t’i vazhdohet mandati si president.
Nga AAK-ja, Besnik Tahiri tha se dobësimi i shtetit nuk vjen vetëm nga keqqeverisja, por edhe nga mosrespektimi i vullnetit të qytetarëve dhe nga ajo që ai e quajti “shkelje zinxhirore të Kushtetutës”.
Nga PDK-ja, Ariana Musliu-Shoshi tha se demokracia zbehet kur pushteti fillon të sillet sikur është mbi ligjin, ndërsa Altin Krasniqi paralajmëroi se mosrespektimi i Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit mund të krijojë precedent të rrezikshëm. PDK dhe AAK po kërkojnë që seanca konstituive të vazhdojë, ndërsa Kuvendi mbetet ende i pakonstituuar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
