Në shpatet e malit Etna, qindra banorë përballen me pasojat e hirit vullkanik pas shpërthimit, pasi ai mbetet në rrugë, çati e oborre dhe ngrihet sërish në ajër. Në javët e fundit, shpërthimet e Etnës tërhoqën vëmendje ndërkombëtare, ndërsa retë e hirit shkaktuan anulimin fluturimeve për rreth një javë.
Për banorët, shqetësimi kryesor mbetet përditshmëria nën hir: vështirësia për të marrë frymë dhe nevoja për ta pastruar vazhdimisht atë. Hiri vullkanik përbëhet nga grimca shumë të imëta shkëmbinjsh dhe mineralesh. Kur ngrihet nga era, deperton thellë në mushkëri.
Sipas studiuesve, kjo shkakton inflamacion dhe acarim të rrugëve të frymëmarrjes, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme kronike të frymëmarrjes. Gjatë gushtit, në provincën e Katanias pulmonologu i provincës vuri re rreth 8% më shumë takime mjekësore se normalisht. Rreziku nuk lidhet vetëm me momentin kur hiri bie nga qielli.
Një pjesë e tij mund të qëndrojë për vite në çati, rrugë dhe hapësira të vështira për t’u pastruar. Kur këto sipërfaqe nuk pastrohen në kohë, era dhe trafiku e rikthejnë hirin në ajër, duke krijuar një ekspozim të dytë. Pikërisht këtu qëndron një nga problemet më të mëdha për banorët e Katanias dhe qyteteve përreth: heqja e hirit nuk është gjithmonë e shpejtë apo efikase.
Në mars, rajoni i Siçilisë miratoi një dekret që synon të krijojë mundësi për riklasifikimin e hirit vullkanik nga mbetje të rrezikshme në lëndë të parë të ripërdorshme. Kjo do të mundësonte përdorimin e hirit të pasur me minerale në industri të ndryshme, përfshirë ndërtimin.
Shembulli i Japonisë, ku pranë vullkaneve aktive si Sakurajima janë ngritur sisteme të shpejta për largimin e hirit, tregon se menaxhimi afatgjatë është i mundur. Për momentin, banorët kanë pak mundësi përveçse të mbrohen vetë. Mjekët këshillojnë përdorimin e maskave gjatë periudhave me aktivitet të lartë vullkanik.
Etna do të vazhdojë të shpërthejë, ndërsa Siçilia po përballet me sfidën për të menaxhuar më mirë hirin, për të mbrojtur shëndetin e banorëve dhe për ta kthyer atë nga një mbetje në një burim të dobishëm.
