Një fluturim i American Airlines u ndërpre pasi një laptop i një pasagjeri u përfshi nga flakët në kabinën e avionit, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve dhe detyruar ekuipazhin të ndërhynte për të shuar zjarrin. Incidenti ndodhi në fluturimin 2398 të American Airlines, i cili ishte nisur nga Atlanta dhe kishte si destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Dallasit.
Në bord ndodheshin gjithsej 133 persona. Në një regjistrim audio të komunikimeve me kontrollin e trafikut ajror, piloti dëgjohet duke raportuar: “Ka një zjarr në kabinë, në pjesën e pasme të avionit. Asistentët e fluturimit po përpiqen ta shuajnë atë tani”.
Pak më vonë, piloti tha se rreth katër deri në pesë pasagjerë mund të kishin pësuar djegie nga laptopi, ndërsa shtoi se pajisja ishte izoluar në një pjesë të kabinës. Megjithatë, pretendimi për disa pasagjerë të djegur nuk u konfirmua më vonë. Avioni u ul i sigurt në Dallas. Pavarësisht incidentit, avioni arriti të ulej në mënyrë të sigurt në Dallas.
Sipas një deklarate të aeroportit, një pasagjer u trajtua në vendngjarje dhe më pas u lirua, pa pasur nevojë për trajtim të mëtejshëm. American Airlines konfirmoi se fluturimi u ul në mënyrë të sigurt pas raportimeve për tym që vinte nga pajisja elektronike e një pasagjeri.
Kompania vlerësoi reagimin e ekuipazhit, duke theksuar profesionalizmin dhe ndërhyrjen e menjëhershme, ndërsa pajisja u izolua shpejt dhe situata u vu nën kontroll. Incidenti ka rikthyer në vëmendje rrezikun që paraqesin bateritë litium-jon, të përdorura në laptopë, telefona celularë dhe pajisje të tjera elektronike.
Administrata Federale e Aviacionit në SHBA (FAA) paralajmëron se këto bateri, në kushte të caktuara, mund të mbinxehen dhe të shkaktojnë zjarr në bordin e avionëve. Një nga rreziqet kryesore është i ashtuquajturi “shpërthim termik” (“thermal runaway”), një proces gjatë të cilit temperatura e baterisë rritet në mënyrë të pakontrollueshme.
Sipas FAA-së, kjo mund të ndodhë pa paralajmërim dhe mund të shkaktohet nga faktorë të ndryshëm, përfshirë dëmtimin e baterisë, mbinxehjen, ekspozimin ndaj ujit, mbingarkesën ose paketimin e papërshtatshëm. Për këtë arsye, janë vendosur kufizime të posaçme për madhësinë dhe mënyrën e transportit të baterive të litiumit në fluturimet komerciale.
Sipas FAA-së, që nga fillimi i vitit 2026 janë regjistruar të paktën 56 incidente që përfshijnë bateri litiumi në fluturime, mes tyre raste tymi, zjarri ose mbinxehjeje. Një incident i ngjashëm ndodhi në shkurt, kur një fluturim i Alaska Airlines me destinacion Wichita, Kansas, u detyrua të kthehej në Seattle pasi bateria e një pajisjeje të një pasagjeri u mbinxeh dhe mori flakë.
Rasti i fundit në fluturimin e American Airlines nuk shkaktoi lëndime serioze, por riktheu vëmendjen te rreziku që mund të paraqesin pajisjet elektronike dhe bateritë e tyre në hapësirën e kufizuar të kabinës së një avioni.
