Malomo Taofeek Ayodeji është kthyer në “xhevahirin” e radhës për Dinamo City-n. Pas një sezoni fantastik me 9 gola dhe rrjetave vendimtare në finalen e Kupës dhe në Conference League kundër Audas, 22-vjeçari nigerian ka përfunduar në radarët e klubeve europiane.
Së fundmi, Top Channel mëson se skuadra e njohur holandeze e Twente-s shfaqi interes konkret me një ofertë zyrtare prej 600 mijë eurosh, por ajo është kthyer menjëherë mbrapsht nga kryeqytetasit.
Burime konfidenciale brenda kampit blu konfirmojnë për redaksinë tonë se Dinamo kërkon minimalisht 1 milion euro për ta lënë të lirë mesfushorin, si dhe mbajtjen e një përqindjeje të konsiderueshme për rishitje të mëvonshme. Kjo lëvizje është e mirëmenduar, pasi në marrëveshjen e transferimit të janarit, ish-skuadra e tij KF Bylis ka ruajtur gjithashtu një përqindje kartoni.
Për të kënaqur të dyja palët, Dinamo nuk po nxiton dhe po pret ofertën e duhur për të realizuar një tjetër shitje rekord në Superiore.
