Një tragjedi ndodhi në Alaskën perëndimore, kur një avion civil me qira u rrëzua pranë një stacioni të izoluar radarësh, duke shkaktuar vdekjen e të tetë personave që ndodheshin në bord. Aksidenti ndodhi në aeroportin e stacionit të radarit me rreze të gjatë Cape Newenham, rreth 725 kilometra në perëndim të Anchorage.
Sipas Forcave të Armatosura amerikane, avioni ishte një “mjet ajror civil nën kontratë shërbimi” dhe transportonte gjithsej tetë persona. Kreu i zyrës së Alaskës për Bordin Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB), Clint Johnson, tha se në bord ndodheshin dy pilotë dhe gjashtë pasagjerë.
Avioni ishte nisur nga Anchorage dhe, sipas të dhënave paraprake, u rrëzua herët pasditen e së enjtes, gjatë procedurës së afrimit drejt destinacionit. Komandanti i Komandës së Alaskës, i rajonit të Alaskës të Komandës së Mbrojtjes Hapësinore të Amerikës së Veriut (NORAD) dhe i Forcës së 11-të Ajrore, gjeneralmajori Robert Davis, shprehu dhimbjen e tij për humbjen.
“Ky është një humbje shkatërruese për familjen tonë ushtarake dhe komunitetet të cilave u shërbejmë”, tha ai në një deklaratë. Davis i cilësoi personat në bord si “profesionistë të përkushtuar që po kryenin një mision jetik në një mjedis veçanërisht sfidues”.
“Prioriteti ynë absolut në këtë moment është t’u ofrojmë mbështetje të plotë familjeve, miqve dhe kolegëve të tyre në këtë moment të vështirë”, shtoi ai. Stacioni i radarit në Cape Newenham menaxhohet nga Qendra Rajonale e Mbështetjes së Forcave Ajrore të Paqësorit dhe është pjesë e një rrjeti instalacionesh të izoluara që monitorojnë trafikun ajror në Alaskë dhe përgjatë kufijve të saj.
Autoritetet amerikane nuk dhanë më shumë informacion lidhur me misionin që po kryenin personat në bord dhe as nuk bënë publike identitetet e viktimave, shkruan Euronews.al. Ekipet e kërkim-shpëtimit mbërritën në vendin e rrëzimit, ndërsa autoritetet kompetente kanë nisur hetimet për shkaqet e aksidentit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!