Prania e KFOR-it te Ura e Ibrit, Maqedonci: Serbia po përpiqet të

0%

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se optimizimi gradual i pranisë së KFOR-it, përfshirë përshtatjen e pranisë së misionit në urën mbi lumin Ibër, është reflektim i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë dhe rritjes së kapaciteteve të institucioneve vendore të sigurisë.

Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka theksuar se ky proces bazohet në vlerësime profesionale të situatës në terren dhe nuk nënkupton zvogëlim të sigurisë për asnjë qytetar apo komunitet në Kosovë.

“Optimizimi gradual i pranisë së KFOR-it, përfshirë përshtatjen e pranisë në urën mbi Ibër, është para së gjithash reflektim i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë dhe i rritjes së kapaciteteve të institucioneve tona të sigurisë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ky është një proces i bazuar në vlerësime profesionale të situatës në terren dhe nuk paraqet zvogëlim të sigurisë për asnjë qytetar apo komunitet në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Maqedonci. Sipas tij, Kosova ndër vite ka ndërtuar institucione profesionale dhe të besueshme të sigurisë, ndërsa bashkëpunimi dhe koordinimi me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë vazhdon të jetë i ngushtë.

Ministri i Mbrojtjes ka reaguar edhe ndaj deklaratave të udhëheqjes së Serbisë lidhur me zhvillimet e fundit rreth pranisë së KFOR-it. Sipas Maqedoncit, përpjekjet e lidershipit serb për ta paraqitur optimizimin e pranisë së KFOR-it si kërcënim për komunitetin serb apo si dëshmi të një situate të paqëndrueshme në Kosovë nuk përputhen me realitetin në terren.

“Përkundrazi, ato synojnë të krijojnë perceptimin e një krize atje ku vlerësimet profesionale të sigurisë tregojnë progres”, ka thënë ai. Maqedonci ka vlerësuar se kjo narrativë e udhëheqjes politike dhe ushtarake të Serbisë duhet parë edhe në kontekstin e zhvillimeve të tjera të fundit.

Sipas tij, ajo synon gjithashtu të zhvendosë vëmendjen nga çështje që kërkojnë përgjigje dhe përgjegjësi, duke përmendur gjetjet lidhur me varrezën masive në Kalludër, zbulimin e armëve dhe pajisjeve në lokacione të ndryshme në veri të Kosovës, si dhe veprimet e institucioneve të Kosovës kundër rrjeteve të dyshuara të inteligjencës së Serbisë dhe aktiviteteve subversive.

“Në vend të narrativave që prodhojnë frikë dhe tension, rajoni ynë ka nevojë për përgjegjësi, transparencë dhe respektim të fakteve. Republika e Kosovës nuk është burim i destabilitetit”, ka shkruar Maqedonci. Shpjegim: Fundi i një simboli të ndarjes? Ura e Ibrit, presioni i Vuçiqit, qëndrimi i NATO-s dhe vlerësimet e ekspertëve – çfarë dihet deri tani?

Ai ka shtuar se Kosova është shtet demokratik dhe partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe aleatëve të saj, si dhe kontribuuese në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Në fund, Maqedonci ka bërë të ditur se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë në koordinim të ngushtë me KFOR-in dhe partnerët strategjikë për forcimin e kapaciteteve dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët.

“Siguria dhe stabiliteti i qëndrueshëm ndërtohen mbi fakte, bashkëpunim dhe përgjegjësi institucionale – jo mbi dezinformim, narrativa të frikës dhe përpjekje për krijimin artificial të krizave”, ka përfunduar Maqedonci.

Burimi: Telegrafi