Ka përfunduar procesi katërjavor i gërmimeve vlerësuese dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore në tri lokacione të konfirmuara si varre masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut. Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, në lokacionin e tretë të varrit masiv është konfirmuar prania e mbetjeve mortore të gjashtë individëve.
Me këto gjetje, në tri lokacionet e shqyrtuara janë konfirmuar mbetje mortore të gjithsej 23 personave, të cilët dyshohet se janë viktima të zhdukjes me forcë. Gjatë katër javëve të punës në terren janë zhvilluar gërmime vlerësuese, zhvarrosje të mbetjeve mortore, dokumentim mjekoligjor dhe vlerësim i plotë i hapësirave me interes.
Në këtë proces kanë marrë pjesë ekipet e Institutit për Mjekësi Ligjore, Sektorit të Policisë për Persona të Zhdukur në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, si dhe njësi të tjera përkatëse të Policisë dhe sigurisë.
Procesi është zhvilluar me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Qeverisë së Kosovës, në zbatim të urdhrit të gjykatës kompetente, pas kërkesës së prokurores së rastit në Departamentin për Krime Lufte të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Në proces kanë kontribuar edhe ekipet mjekoligjore të EULEX-it në kuadër të Institutit për Mjekësi Ligjore.
Pas përfundimit të punës në terren, procedurat do të vazhdojnë me ekzaminimet mjekoligjore dhe identifikimin përmes analizës së ADN-së. Qëllimi është konfirmimi i identitetit të viktimave dhe më pas ndërmarrja e hapave të mëtejmë, përfshirë informimin zyrtar të familjeve.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka shprehur mirënjohje për të gjitha ekipet dhe institucionet e angazhuara në proces, si dhe për familjet e personave të zhdukur dhe Shoqatën e Familjeve “Zëri i Prindërve” për bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe.
