Penalizohet me 24 mijë euro operatori në rrugën Prishtinë–Podujevë

0%

Operatori ekonomik që po punon në segmentin e Vranidollit të rrugës Prishtinë–Podujevë është penalizuar me 24 mijë euro vetëm për muajin korrik, për shkak të mosrespektimit të planit dinamik të punimeve, ka njoftuar ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha.

Basha ka bërë të ditur se ka inspektuar sërish punimet në rrugën Prishtinë–Podujevë, duke thënë se pas marrjes së detyrës kishte zhvilluar takime me mbikëqyrësit dhe operatorët ekonomikë të angazhuar në projekt, pasi afatet, planet dinamike dhe sigurimet e obligueshme kishin skaduar.

Sipas tij, pas diskutimeve është arritur marrëveshje për shtyrjen e afateve, me kërkesën që fillimisht të lirohet për qarkullim njëri krah i urave, ndërsa deri në nëntor të përfundojnë edhe pozicionet e tjera të punimeve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Marrëveshja, sipas ministrit, është formalizuar edhe me shkrim, ndërsa operatorët kanë dorëzuar planet dinamike dhe sigurimet përkatëse, duke marrë përsipër afate dhe obligime të qarta. Megjithatë, Basha tha se disa operatorë nuk i kanë respektuar obligimet e marra, për çka Ministria ka nisur zbatimin e penaliteteve financiare.

“Vetëm për muajin korrik, në segmentin e Vranidollit, operatori ekonomik është penalizuar me 24 mijë euro”, ka deklaruar Basha. Ai ka paralajmëruar se penalitetet do të vazhdojnë në segmentet ku nuk respektohet plani dinamik, deri në përmbushjen e obligimeve kontraktuale.

Basha ka theksuar se e njëjta praktikë do të zbatohet në të gjitha kontratat e Ministrisë së Infrastrukturës, në rastet kur afatet dhe obligimet kontraktuale nuk respektohen pa arsye të justifikueshme. “Është e padrejtë që qytetarët të presin dhe të mos i gëzojnë rrugët për të cilat janë ndarë dhe po paguhen paratë e tyre”, ka thënë ai.

Ministri ka shtuar se qëllimi nuk është ndëshkimi i operatorëve, por garantimi i realizimit të punëve sipas marrëveshjeve dhe afateve të përcaktuara, duke paralajmëruar se për mosrespektimin e obligimeve kontraktuale nuk do të ketë tolerim.

Burimi: Telegrafi