Në jug të Gjermanisë, pasuria është më e madhe dhe shpërndahet në mënyrë më të barabartë sesa në pjesët e tjera të vendit. Nivelet më të ulëta të pasurisë vërehen në lindje të Gjermanisë, që vjen, ndër të tjera, nga një shkallë më e ulët e pronësisë së banesave.
Këtë e tregon një studim i Institutit të Ekonomisë Gjermane (IW), i realizuar për Shoqatën e Ekonomisë Bavareze (VBW), për të cilin raporton gazeta Süddeutsche Zeitung. Studimi thotë se «blerja e një banese në pronësi vazhdon të luajë një rol themelor në krijimin e pasurisë individuale të klasës së mesme».
Njëkohësisht, pabarazia relative në shpërndarjen e pasurisë në Gjermani ka rënë lehtësisht që nga kriza financiare e vitit 2008. Sipas studimit, edhe pse pabarazia e pasurisë u rrit nga fundi i viteve ’90 deri te kriza financiare e 2008-s, që atëherë tendenca ka qenë lehtësisht në rënie.
Ndër arsyet që përmendin autorët janë, ndër të tjera, rritjet e forta të të ardhurave reale dhe ulja e borxheve të shumë qytetarëve, si pasojë e fazës së normave të ulëta të interesit bankar pas krizës. Pabarazia e lartë e pasurisë vazhdon Kjo sepse, sipas studimit, si pasuria nominale ashtu edhe ajo reale janë rritur në Gjermani në të gjitha fushat e pasurisë gjatë 15 viteve të fundit.
Dhe kjo pavarësisht rënieve të përshtatura me inflacionin gjatë fazës së inflacionit të lartë të viteve 2022 dhe 2023. Për më tepër, rritja e pasurisë mesatare reale në Gjermani e kalon mesataren në krahasim me pjesën tjetër të Evropës. Njëkohësisht, pasuria mediane — që e ndan popullsinë në dy gjysma të barabarta — është si tendencë e ulët.
Kjo lë të kuptohet se, megjithatë, pabarazia e pasurisë vazhdon të jetë mjaft e lartë. Perceptimi dhe realiteti Rënia e pabarazisë së pasurisë që del nga studimi bie ndesh me perceptimin publik: 81 %, pra katër nga çdo pesë qytetarë e qytetare, mendojnë se mirëqenia ekonomike e vendit shpërndahet në mënyrë të padrejtë. Vetëm 15 % e konsiderojnë të drejtë gjendjen aktuale.
Ky është rezultati i një sondazhi përfaqësues të realizuar nga infratest dimap për fushatën e ARD-së «Mendimi yt vlen!», në të cilin u intervistuan në prill 2.084 persona nga e gjithë Gjermania, pjesë e popullsisë gjermanishtfolëse mbi 16 vjeç.
Pabarazi më e madhe në krahasim me pjesën tjetër të Evropës Megjithatë, studimi i IW-së vëren gjithashtu se pabarazia mbetet e lartë në krahasim me pjesën tjetër të Evropës. Kjo ndodh edhe në vende të tjera me sisteme sociale të zhvilluara mirë, si në Skandinavi.
Në studim thuhet: «Një model që vërehet në shumë shtete mirëqenieje me të ardhura të larta, ku pabarazia e të ardhurave është e moderuar dhe mbrojtja sociale është e gjerë». Kjo sepse në këto vende nevoja për sigurim privat është më e vogël sesa në një vend si Anglia apo Shtetet e Bashkuara, ku shërbimet sociale shtetërore thuajse nuk ekzistojnë.
Njëkohësisht, të drejtat e fituara nga sigurimet shoqërore — si pensioni — në vende si Gjermania nuk llogariten si pasuri në statistika. Nëse do të merreshin parasysh, pabarazia në Gjermani do të ishte dukshëm më e vogël, sipas raportit. Dallimet rajonale vazhdojnë Sipas raportit, dallimet rajonale janë veçanërisht të theksuara.
Kështu, pasuria neto mesatare në landet federale të jugut të Gjermanisë, është rreth 442.100 euro. Kjo e kalon më shumë se dy herë e gjysmë pasurinë neto mesatare të lindjes së Gjermanisë, e cila arrin në 169.100 euro. Një arsye themelore për këtë, sipas IW-së, është se banorët e landeve lindore së Gjermanisë mundën të fillonin të grumbullonin pasuri vetëm nga viti 1990.
Në vend që të rrisë barrën tatimore mbi të pasurit, IW këshillon nxitjen e grumbullimit të pasurisë te shtresa të gjera të popullsisë, për shembull përmes uljes së taksave dhe tarifave në blerjen e pasurive të paluajtshme.
Bertram Brossardt, drejtor i përgjithshëm i VBW-së, në deklarata për SZ shprehet gjithashtu kundër «ndërhyrjeve politike», siç do të ishin një taksë mbi pasurinë apo një taksë trashëgimie. «Po flasim për pasuri produktive të lidhur me ndërmarrjet, jo për të mira luksi private», tha ai. / DW
