Komuna e Ferizajt ka reaguar lidhur me debatet për propozim-vendimin për këmbimin e disa ngastrave kadastrale, duke i cilësuar si “shpifje dhe keqinformim të qëllimshëm” pretendimet e ngritura nga eksponentë opozitarë lokalë dhe persona të tjerë.
Në një sqarim publik, Komuna ka thënë se bëhet fjalë për një proces që, sipas saj, është zhvilluar në përputhje me procedurat ligjore dhe se vendimmarrja përfundimtare i takon Kuvendit të Komunës.
“Ky këmbim i pronës komunale me atë private bëhet në interesin e Komunës me qëllim të krijimit të kushteve të nevojshme ligjore, teknike e infrastrukturore për realizimin e projektit ‘Sheshi i Fjalës së Lirë’”, thuhet në reagim.
Sipas Komunës, projekti synon që hapësira përskaj pronës së KEDS-it në Ferizaj të shndërrohet në shesh në kujtim të intelektualëve, autorëve dhe shkrimtarëve, veprat e të cilëve, sipas saj, ishin djegur me vendime gjyqësore gjatë periudhës së komunizmit.
Komuna ka sqaruar se ngastrat private që janë pjesë e propozimit për këmbim aktualisht përdoren për qëllime publike dhe se moszgjidhja institucionale e çështjes, sipas saj, do të ndikonte në qarkullimin dhe frekuentimin e kësaj hapësire në qendër të qytetit. Një nga pikat që Komuna ka veçuar është se nuk bëhet fjalë për këmbimin e të gjithë parcelës komunale 180-10 në ZK Talinoc i Jerlive.
“Prona komunale që do të këmbehet me këto dy prona private, pra parcela 180-10 ZK Talinoc i Jerlive, nuk do të këmbehet në tërësi, por një pjesë e saj, e barasvlefshme me pronat private përkatëse në qendër të qytetit”, thuhet në reagim. Komuna ka mohuar gjithashtu se këmbimi do të prekë hapësirën e shtatores së dëshmorit të kombit, Driton Islami – Toni, dhe parkun përreth saj.
“Ndërsa nga ky këmbim mes pronës komunale ku gjendet edhe shtatorja e Dëshmorit të Kombit – Driton Islami – Toni, me pronat private të lartcekura, nuk cenohet asnjë metër i hapësirës së shtatores dhe parku përskaj saj”, theksohet në reagim.
Sipas Komunës, destinimi i kësaj hapësire është përcaktuar përmes vendimeve të Kuvendit Komunal të Ferizajt, përfshirë vendimin e vitit 2005 dhe ndryshimin e tij në vitin 2024. Komuna ka sqaruar edhe procedurën e vlerësimit të pronave, duke theksuar se ajo nuk kryhet nga Komuna e Ferizajt.
“Për korrektësi dhe informim të drejtë të qytetarëve, duhet theksuar se vlerësimi i pronave nuk bëhet nga Komuna e Ferizajt. Vlerësimi është kompetencë e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, si institucion kompetent për këtë proces”, thuhet në reagim. Sipas Komunës, çështja është trajtuar në disa etapa institucionale.
Më , pika për këmbimin e ngastrave është aprovuar nga Kuvendi Komunal i Ferizajt, ndërsa më është nxjerrë raporti i vlerësimit nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Komuna ka bërë të ditur se më është kërkuar korrigjimi i një gabimi teknik në dokumentacionin e raportit të vlerësimit, ndërsa më Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka aprovuar korrigjimin.
“Pra, si propozim, ka kaluar filtrat institucional të vlerësimit të ligjshmërisë sipas të gjitha procedurave ligjore përkatëse”, thuhet në reagim. Në fund, Komuna e Ferizajt ka deklaruar se dokumentet e vlerësimit, dokumentacioni për projektin “Sheshi i Fjalës së Lirë”, si dhe skicat e hapësirës së destinuar për parkun dhe shtatoren janë bërë pjesë e sqarimit publik. / Telegrafi
