Kadri Xhemaili është dënuar me gjashtë muaj burgim për kanosjen ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. Vendimi është marrë pasi i pandehuri ka pranuar fajësinë në seancën gjyqësore të mbajtur të premten dhe ka shprehur pendesë për veprimin e tij.
Gjykata ka miratuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, e cila ishte arritur ndërmjet të pandehurit, mbrojtjes së tij dhe Prokurorisë. Prokurori Bekim Kodraliu ka deklaruar se marrëveshja është arritur vullnetarisht dhe se i pandehuri ishte njoftuar për pasojat e pranimit të fajësisë.
Ndërkaq, mbrojtësi i Xhemailit, avokati Rinor Arifi, ka konfirmuar se mbrojtja pajtohet me marrëveshjen e arritur. Në seancën gjyqësore nuk ishte i pranishëm kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Sipas gjyqtarit Rrahman Beqiri, Kurti e kishte pranuar ftesën për pjesëmarrje, por mungesën nuk e kishte arsyetuar.
Sipas aktakuzës, Xhemaili më kishte kanosur publikisht Kurtin përmes rrjetit social Facebook, me qëllim të frikësimit të tij në cilësinë e kryeministrit të Kosovës. Kanosja, sipas aktakuzës, përfshinte edhe kërcënim për privim nga jeta. Pas pranimit të fajësisë dhe miratimit të marrëveshjes me Prokurorinë, Gjykata e ka dënuar Kadri Xhemailin me gjashtë muaj burgim.
