Hoti: Tragjeditë në KEK kërkojnë përgjegjësi, jo përfitim politik

0%

Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar pas deklaratave politike lidhur me aksidentet tragjike në KEK, duke kërkuar që përgjegjësia të përcaktohet mbi bazën e fakteve dhe ligjit, e jo përmes deklaratave politike.

Hoti, përmes një postimi në Facebook, ka shprehur ngushëllime për familjen e punëtorit që humbi jetën, si dhe për familjet e punëtorëve të tjerë që kanë humbur jetën në vendin e punës. Ai ka kritikuar përdorimin e rasteve tragjike për përplasje politike, duke thënë se akuzat ndaj institucioneve duhet të bëhen vetëm pasi të verifikohen faktet, shkaqet e aksidentit dhe kompetencat ligjore.

“Në asnjë rrethanë, tragjedi të tilla nuk duhet të keqpërdoren nga eksponentë politikë si mjet sulmi ndaj njëri-tjetrit”, ka shkruar Hoti. Sipas tij, është veçanërisht shqetësuese kur akuza të tilla vijnë nga deputetë të Kuvendit, të cilët, si ligjvënës, duhet të kenë njohuri mbi legjislacionin dhe kompetencat e institucioneve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Hoti ka sqaruar se aksidentet fatale të datave 8 korrik, 16 gusht dhe kanë ndodhur në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, në kuadër të veprimtarisë minerare.

Sipas tij, mbikëqyrja e sigurisë në punë dhe hetimi i aksidenteve në veprimtarinë minerare janë kompetencë e Inspektoratit të Minierave, në kuadër të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), dhe jo e Inspektoratit Qendror të Punës. “Këtë nuk po e them për ta zhvendosur përgjegjësinë nga një institucion te tjetri dhe as për t’i ikur përgjegjësisë.

Ne nuk i ikim asnjë përgjegjësie që na takon me ligj”, ka deklaruar ai. Hoti ka bërë të ditur se edhe në rastin e fundit, Inspektorati Qendror i Punës ka reaguar menjëherë pas pranimit të informatës, duke angazhuar inspektorët dhe duke dalë në vendin e ngjarjes.

Pas inspektimit, sipas tij, është konstatuar se aksidenti kishte ndodhur në territorin e një miniere të licencuar nga KPMM dhe se trajtimi i rastit i takon Inspektoratit të Minierave. Hoti ka theksuar se Inspektorati Qendror i Punës po ndërmerr masa për forcimin e kontrollit në vendet e punës.

Ai ka thënë se gjatë katër muajve të fundit janë intensifikuar inspektimet, me fokus të veçantë në sektorët me rrezik të lartë, ndërsa është avancuar edhe digjitalizimi i procesit të inspektimit. “Vetëm në katër muaj, kemi ndaluar punimet në mbi 180 vendpunishte” , ka bërë të ditur Hoti.

Në fund, ministri në detyrë ka kërkuar që institucionet përgjegjëse t’i zhvillojnë hetimet deri në fund dhe që çdo rast i neglizhencës, shkeljes së rregullave të sigurisë apo përgjegjësisë institucionale dhe individuale të trajtohet sipas ligjit. “Në një ditë kur një familje ka humbur njeriun e saj, minimumi që mund të kërkohet nga secili prej nesh është përgjegjësi edhe në fjalën publike.

Tragjeditë kërkojnë përgjegjësi, jo përfitim politik ”, ka përfunduar Hoti.

Burimi: Bota Sot