Ish-eprori i UÇK-së, Naim Miftari, ka reaguar me tone të ashpra ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pas deklaratës së tij se emblemën e UÇK-së e mban në xhepin e majtë të këmishës.
Miftari, përmes një shkrimi, ka vënë në pikëpyetje deklaratën e Thaçit, duke e pyetur atë se ku e mban emblemën e DGSE-së, shërbimit sekret francez, si dhe duke bërë pretendime për lidhje të tij me figura të shërbimeve të huaja. “Hashim, e ku po e mban emblemën e DGSE-së, shërbimit sekret Francez, e foton e shefit tënd, dhëndrit serb agjentit Francez, Arnaud Danjean?”, shkruan Miftari.
Ai ka përmendur edhe vëllain e Thaçit, Ganiun, duke ngritur pretendime për një emblemë që ia atribuon Ivica Stanishiqit të UDB-së. Në reagimin e tij, Miftari e ka kritikuar Thaçin edhe për mënyrën se si e ka ndërtuar karrierën politike pas luftës, duke bërë akuza të rënda për pasurinë dhe Fondin “Vendlindja Thërret”.
Sipas Miftarit, Thaçi “nga një vjedhës i farmerkave Levi’s 501 në Zvicër u bëre multimilioner”, ndërsa pretendon se UÇK-së i është marrë pjesa më e madhe e fondeve të mbledhura për të. Miftari ka kritikuar gjithashtu Marrëveshjen K-90 dhe Gjykatën Speciale, duke pretenduar se Thaçi kishte besuar se proceset nuk do të prekni atë dhe bashkëluftëtarët e tij politikë.
Në fund të reagimit, ish-eprori i UÇK-së i drejtohet Thaçit me një pyetje tjetër, duke e lidhur atë me atdhetarin Bahajdin Allaqi. “Hashim, telefonin a librin po e mban nën jastëk kur po flen, për pyetjen se ku gjindet varri i atdhetarit Bahajdun Allaqit, tjetër herë të pyes?” , shkruan Miftari.
Shkrimi i plotë: Hashim, e ku po e mban emblemën e DGSE-së, shërbimit sekret francez, e foton e shefit tënd, dhëndrit serb, agjentit francez, Arnaud Danjean? Hashim, e vëllai yt, Ganiu, ku po e mban emblemën e Ivica Stanishiqit të UDB-së?
Hashim, e qysh mos me e mbajt në xhep e në zemër emblemën e UÇK-së, kur para luftës ishe azilant dhe i varfër, ndërsa nga një vjedhës i farmerkave Levi’s 501 në Zvicër u bëre multimilioner, pasi ia vodhët UÇK-së mbi 90 për qind të Fondit “Vendlindja Thërret”? Dhe pas luftës, për t’u futur në politikë e pushtet, shitët e vodhët për vete pothuajse krejt pasuritë e Kosovës.
Po ashtu, me një nënshkrim, shumicën e ushtarëve të UÇK-së i latë rrugëve me Marrëveshjen K-90! Ku mos me e dashtë ti UÇK-në, kur falë UÇK-së u bëre kryeministër, ministër i Jashtëm e deri president? Falë luftës së drejtë të UÇK-së, nga korrupsioni gjatë dhe pas luftës, u bëre multimiliarder.
Edhe falë teje, Gjykatën Speciale ia solle falas UÇK-së, gjersa ti ishe i bindur se të gënjyen ndërkombëtarët: se ju nuk do të gjykoheshit, por do të gjykoheshin e dënoheshin komandantët realë të luftës, ish-shokët e tu. Hashim, telefonin a librin po e mban nën jastëk kur po fle, për pyetjen se ku gjendet varri i atdhetarit Bahajdin Allaqi, tjetër herë të pyes?
