Në kulmin e sezonit veror, eurot janë shtuar edhe më shumë në treg nga hyrjet e turistëve dhe emigrantëve që kthehen në Shqipëri, duke bërë që leku të forcohet edhe më tej.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, 1 euro po këmbehet për 92.6 lekë, një rënie e vlerës me 4.7% krahasuar me një vit më parë, kur euro këmbehej për 97.3 lekë ose, thënë ndryshe, nëse kjo kartëmonedhë 20 euro vlente 1942 lekë në gusht 2025, tani këmbehet për 1852 lekë. Efekte që ndihen jo vetëm te familjet, pagat, importet dhe eksportet, por dhe në sektorë të tjerë, shkruan TCH.
Në pikat e këmbimit valutor, si dhe në biznese të ndryshme, euro ka prekur edhe nivele më të ulëta, duke u këmbyer edhe për 90 lekë. Por ky ndryshim nuk është thjesht një shifër në tabelat e këmbimit valutor. Zhvlerësimi i euros krijon fituesit dhe humbësit në ekonominë vendase.
Më të favorizuar janë qytetarët dhe bizneset që paguajnë në euro si për kredi, importe apo udhëtime jashtë vendit, si dhe borxhi i jashtëm i vendit, edhe më i lirë. Në anën tjetër, eksportuesit, sektori i turizmit që arkëton në euro, individët që marrin paga në këtë monedhë, si dhe familjet që marrin të ardhura nga emigracioni, përfitojnë më pak lekë për të njëjtën shumë në euro.
Por forcimi i lekut ndihmon politikën monetare në një tjetër drejtim, një monedhë më e fortë e bën më të lirë koston e mallrave të importuara dhe ndihmon në frenimin e presioneve inflacioniste. Banka e Shqipërisë e ka konsideruar mbiçmimin e kursit një mekanizëm që ndihmon ekonominë të përshtatet dhe ruan fuqinë blerëse.
Kjo situatë ka ndikuar edhe te rezerva valutore, e cila ka arritur një rekord prej 7.669 miliardë euro, rreth 889 milionë euro më shumë se një vit më parë. Për të frenuar zhvlerësimin e mëtejshëm të euros, Banka e Shqipërisë ka intensifikuar ndërhyrjet në tregun valutor.
Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, banka qendrore ka blerë 95.5 milionë euro, gati trefish më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur u blenë 33.2 milionë euro. Për vitin 2026, Banka e Shqipërisë ka planifikuar të blejë nga tregu 330 deri në 450 milionë euro, një objektiv më i lartë se ai i vitit të kaluar. Por forcimi i lekut nuk ndalet vetëm te euroja.
Edhe valutat e tjera janë zhvlerësuar ndjeshëm, teksa dollari po këmbehet për 79 lekë, paundi 107 lekë, franga 99 lekë, ndërsa në rënie janë dhe dollari australian, kanadez, korona suedeze dhe norvegjeze. Ekspertët e tregut vlerësojnë se një situatë e tillë do të vijojë, ku euro do të mbetet në këto nivele, por jo të rritet në vlerat e disa viteve më parë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
