Sinjali ka mësuar identitetin e dy personave të dyshuar për sulmin ndaj një 34-vjeçari në Rrugën C në Prishtinë, incident që u regjistrua edhe nga kamerat në zonë. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Riton Krasniqin rreth 29-vjeçar dhe Diar Kurtin, rreth 27-vjeçar, të cilët pas intervistimit janë ndaluar për 48 orë.
Ngjarja ka ndodhur më 20 gusht, rreth orës , në afërsi të një marketi te rrethi i Rrugës C. Viktima, K.Z., rreth 34-vjeçar, ka deklaruar para Policisë se ishte sulmuar nga dy persona. Pas incidentit, ai ka marrë trajtim mjekësor dhe më pas është intervistuar në cilësinë e të dëmtuarit. Por një pjesë e rëndësishme e asaj që ndodhi është dokumentuar edhe nga kamerat.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, nga video-incizimet e siguruara në lokacion shihen dy persona duke e sulmuar 34-vjeçarin. Si të dyshuar për rastin janë identifikuar Krasniqi dhe Kurti, të cilët më pas janë paraqitur në Stacionin Policor Jugu. Të dy janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve, në praninë e avokatëve mbrojtës sipas detyrës zyrtare.
Pas përfundimit të procedurave është konsultuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Me vendim të Prokurorit, Riton Krasniqi dhe Diar Kurti janë ndaluar për 48 orë dhe janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Stacionin Policor Qendra.
Motivi i konfliktit nuk është bërë i ditur deri në këtë fazë, ndërsa video-incizimet e siguruara pritet të jenë pjesë e provave mbi bazën e të cilave do të sqarohet dinamika e plotë e incidentit. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
