Nxehtësia, stresi, ndryshimi i rutinës dhe ushqimi ndikojnë në funksionimin e zorrëve – ekspertët tregojnë çfarë mund të ndihmojë Fryrja e barkut nuk është vetëm një shqetësim kalimtar. Shumë njerëz e përjetojnë rregullisht, ndërsa te gratë raportohet edhe më shpesh. Edhe pse zakonisht fajësojmë një vakt të bollshëm, shkaqet mund të jenë më komplekse.
Stresi, për shembull, mund të ndikojë në lëvizshmërinë e zorrëve dhe në ndjeshmërinë viscerale, duke shtuar ndjenjën e tensionit dhe fryrjes. Gjatë verës, temperaturat e larta, udhëtimet, ndryshimi i rutinës dhe gjumi jo i rregullt mund ta bëjnë tretjen edhe më të vështirë.
Qasja bimore mund të ndihmojë Nutricionistja dhe biologja Ilenia Grieco shpjegon se vera mund ta sfidojë sistemin tretës. Përveç temperaturave të larta, vaktet e çrregullta dhe ndryshimet në ritmin e përditshëm mund të shtojnë ndjenjën e rëndesës.
Sipas saj, një ushqyerje kryesisht me bazë bimore mund të jetë e dobishme, sepse siguron fibra, antioksidantë dhe përbërës bioaktivë që mbështesin mikrobiotën e zorrëve. Megjithatë, nuk mjafton thjesht të shtohet sasia e perimeve. Rëndësi ka edhe përzgjedhja dhe mënyra se si organizmi i toleron ato.
Çfarë mund ta përkeqësojë fryrjen Një gabim i zakonshëm është që ushqyerja bimore të barazohet me sasi të mëdha sallatash të gjalla dhe smoothie-sh. Te personat me zorrë të ndjeshme ose me sindromën e zorrës së irrituar, një sasi e madhe e ushqimeve të papërpunuara dhe fibrave mund ta shtojë fryrjen.
Nutricionisti Alfonso Presutta sugjeron që në këto raste të fillohet me perime të gatuara dhe më të lehta për tretje, si kungulleshkat, karotat, kopra e ëmbël apo patatet. Edhe bishtajoret mund të futen gradualisht në ushqim, duke u kushtuar vëmendje sasive dhe tolerancës individuale.
Qëllimi nuk është të konsumohen sa më shumë fibra, por aq sa sistemi tretës i përballon mirë, transmeton Telegrafi. Katër zakone që mund të ndihmojnë Shmangni ushqimet shumë të rënda dhe të vështira për tretje. Kujdesuni për hidratimin gjatë gjithë ditës, duke pirë ujë dhe duke konsumuar fruta e perime me përmbajtje të lartë uji. Merrni fibra në mënyrë të rregullt dhe sipas tolerancës.
Perimet, bishtajoret dhe drithërat integrale janë burime të fibrave prebiotike, ndërsa ushqimet e fermentuara, si kosi dhe kefiri, mund të jenë pjesë e një diete të larmishme. Në të njëjtën kohë, rekomandohet të kufizohen ushqimet ultraprocesuara dhe sheqernat e thjeshta.
Kushtojini vëmendje përbërjes së vakteve dhe shmangni teprimin me ushqime që individualisht ju shkaktojnë rëndesë apo fermentim të shtuar. Edhe mënyra si hani ka rëndësi Ushqimi nuk është faktori i vetëm. Për të ndihmuar tretjen dhe për të reduktuar fryrjen, mund të jetë e dobishme të ecni për 10–15 minuta pas vaktit, të hani më ngadalë dhe ta përtypni mirë ushqimin.
Po aq i rëndësishëm është edhe ritmi i rregullt i gjumit. Fryrja e përsëritur shpesh shfaqet kur rutina e ushqimit, aktivitetit, gjumit dhe stresit del nga ekuilibri. Nëse fryrja është e vazhdueshme, e fortë ose shoqërohet me dhimbje, humbje peshe, gjak në jashtëqitje apo ndryshime të reja të ritmit të zorrëve, duhet kërkuar vlerësim mjekësor.
