Gjykatën në Prishtinë ka vazhduar gjykimin ndaj të akuzuarve Fabiana Anais Cobos Vega, Batuhan Beyoglu, Liridon Jashanica, dhe Elton Lecaj. Katër të akuzuarit ngarkohen se kanë marrë pjesë në trafikimin e vajzave nga Amerika Latine dhe se këto gra janë shfrytëzuar për shërbime seksi me pagesë.
Gjykimi vazhdoi me deklarimin e avokates së të akuzuarës Fabiana, Alma Koljenoviq, e cila ka njoftuar trupin gjykues se ndërmjet të mbrojturës së saj dhe Prokurorisë Speciale aktualisht janë duke u zhvilluar negociata konkrete për mundësinë e arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë.
Duke u arsyetuar se i duhet kohë në drejtim të finalizimit të kësaj marrëveshje, avokatja Koljenoviq ka kërkuar shtyrjen e seancës, por ka mbetur e hapur që nëse deri ne një afat nuk arrihet marrëveshja, atëherë gjykimi mund të vazhdoj në procedurë të rregullt.
I pyetur për qëndrimin e saj nëse e përkrah apo jo marrëveshjen për pranimin e fajësisë apo dëshiron të vazhdoj me shqyrtimin gjyqësor, Fabiana u deklarua se nuk dëshiron të pranoj në asnjë formë që ajo ka qenë pjesë e një grupi kriminal, apo një grupi për trafikim me qenie njerëzore.
Në këtë pikë avokatja mbrojtëse e Fabianës, Alma Koljenoviq kërkoi nga Gjykata një pauzë për konsultim me të mbrojturën e saj, pasi ajo po deklaronte ndryshe nga ajo që ato ishin dakorduar sipas saj në takimin e një dite më parë.
Edhe pas konsultimit, e akuzuara Fabiana ka deklaruar se ndjehet e pafajshme për këtë çështje penale, nuk dëshiron të pranoj kurrfarë fajësie, si dhe dëshiron të vazhdoj me shqyrtimin gjyqësor të rregullt. Prokuroria në lidhje më propozimin ka deklaruar se nuk kanë asgjë kundër, përkundrazi që nga momenti i pranimit të kërkesës me shkrim kanë filluar me shumë seriozitet shqyrtimin e saj.
Avokatja e Fabianës, Alma Koljenoviq ka vazhduar duke thënë se e mbrojtura e saj akoma nuk e ka të qartë se çka po pyetet, dhe e gjithë kjo situatë sipas saj është krijuar për shkak të keqinterpretimit. Ajo ka vazhduar duke konfirmuar se bashkë me të mbrojturën e saj, me vullnetin e saj të lirë, kanë përpiluar dhe dorëzuar kërkesën për negocim të marrëveshjes.
E pyetur nga Kryetari i trupit gjykues nëse e njëjta ka akoma nevojë për konsultime më të mbrojturën e saj, Koljenoviq ka propozuar që të shtyhet seanca me arsyetimin se nuk janë të gatshëm për marrjen në pyetje të të akuzuarës për shkak të mospajtimeve dhe gjendjes së saj emocionale.
Këtë propozim trupi gjykues e refuzoi me arsyetimin se ishte pikërisht kjo palë që me arsyetimin e njëjtë e ka shtyrë edhe seancën e fundit. Por pavarësisht kësaj, Gjykata i ka dhënë akoma kohë avokates Koljenoviq për konsultime me të mbrojturën e saj.
Pas kësaj, Koljenoviq ka deklaruar se e mbrojtura e saj, Fabiana, nuk është akoma e gatshme as për të vendosur për çështjen e marrëveshjes për pranimin e fajësisë e as të merrej në pyetje për të prezantuar mbrojtjen e saj. Pas kësaj, trupi gjykues ka vazhduar me seancën duke njoftuar të akuzuarën se gjykimi ka ardhë në fazën e dhënies së mbrojtjes.
“Në mungesë të vullnetit nga e akuzuara Fabiana për të shkuar në negocim të marrëveshjes për pranimin e fajësisë, trupi gjykues vazhdon me seancën aty ku ka mbetur, me paraqitjen e mbrojtjes nga ana e të akuzuarve” – tha kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri.
Me konsideratë për situatën e krijuar, dhe në mënyrë që Gjykata të i jep mundësi avokates Alma Koljenoviq të përgatis mbrojtjen me të akuzuarën Fabiana, Gjykata e ka ndryshuar radhën e paraqitjes së mbrojtjes nga të akuzuarit, kështu që e akuzuara Fabiana e paraqet mbrojtjen e saj në seancën e radhës të datës . Më pas seanca ka vazhduar me mbrojtjen e të akuzuarit Batuhan Beyoglu.
Avokatja e të akuzuarit Beyogly, Kosovare Kelmendi ka deklaruar para trupit gjykues se i vjen keq për situatën e krijuar, dhe se ajo nuk mund të marrë në pyetje të mbrojturin e saj pa e dëgjuar të akuzuarën e parë, Fabiana Anais Cobos Vega. Kur i akuzuari Beyoglu u deklarua se dëshiron të paraqes mbrojtjen e tij, trupi gjykues ka ftuar avokaten Kelmendi që t’i parashtroj pyetjet e saj.
Këtu avokatja Kelmendi tha para trupit gjykues se kërkesa e saj nuk u përfill, dhe ajo po ndihej nën presion nga Gjykata për të vazhduar. Në këtë moment, Gjykata i ka kërkuar asaj që ta tërheq fjalën presion nga preocesverbali, ose ta shpjegoj atë.
Avokatja Kelmedi shpjegoi se e ka fjalën pikërisht për presioni për t’i parashtruar pyetjet të mbrojturit të saj, kur ajo sapo deklaroi që nuk është gati.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Rrahman Beqiri ia ka rikujtuar avokates Kelmendi se Gjykata asnjëherë nuk e obligon askënd të parashtroj pyetjet, por vetëm e parashtron atë si mundësi, që më pas palët e vlerësojnë nëse duan ta shfrytëzojnë apo jo. Kelmendi vazhdoi duke thënë se nga pozita që po i imponohej e ka vetëm një pyetje për të mbrojturin e saj.
I pyetur nga Kelmendi se a ka dhënë deklaratë në Prokurori dhe a qëndron pas saj, i akuzuari Beyoglu u deklarua me Po. Seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të të akuzuarit nga ana e Prokurorisë.
I pyetur nga Prokuroria cili ka qenë interesi i tij për bashkëpunim me të akuzuarën Fabianën, Beyoglu u deklarua se Fabianën për herë të parë e ka takuar kur ajo ka ardhur në apartamentin e tij, që ky e kishte biznes e i lëshonte me qira ditore në Booking dhe Airbnb. Beyoglu ka deklaruar se Fabiana e ka bërë rezervimin përmes këtyre platformave dhe pagesën e ka kryer me para në dorë.
Sipas deklarimit të të akuzuarit Beyoglu, e akuzuara Fabiana fillimisht e ka marrë me qira një banesë për dy javë, por ka qëndruar më gjatë, dhe rezervimin e kishte bërë për vetëm dy persona. Beyoglu u deklarua se herë pas here e ka vërejtur se tek hyrja e ndërtesës ku ndodhej apartamenti i tij hynin e dilnin persona të panjohur, zakonisht meshkuj shqiptar nga Kosova.
Ai deklaroi se më vonë e ka kuptuar se ata hynin e dilnin në apartamentin e tij sepse aty po zhvillohej prostitucion. I pyetur nga Prokuroria se çka e lidh Beyoglun me të akuzuarën Fabiana, ai u deklarua se ata kanë pasur një lidhje dashurie, asgjë më shumë. Tutje Beygolu u pyet se çka ka qenë roli i tij në krejt këto rrethana.
Ai u deklarua se as nuk ka qëndruar e as nuk ka jetuar në atë apartament por vetëm e ka frekuentuar për të kaluar kohë, një apo dy orë brenda ditës, për të konsumuar substanca narkotike me të akuzuarën Fabiana.
Ai gjithashtu e ka pranuar se ka transferuar para nga llogaria e tij në llogarinë e motrës së të akuzuarës Fabiana, në Barcelonë, rreth tri apo katër herë, në shuma prej 800 apo 900 euro, me kërkesë të Fabianës. I pyetur edhe për lëndët narkotike pasi që Beyoglu ngarkohet edhe për këtë vepër penale, ai tha se ato i merrnin tek shitësit në rrugë, duke filluar nga 20 deri në 50 euro në ditë.
Ai u deklarua se ishte ai i cili shkonte për t’i blerë, e më pas për t’i konsumuar ato me të akuzuarën Fabiana dhe një shoqe të saj. Seanca ka vazhduar me paraqitjen e mbrojtjes së të akuzuarit të tretë, Liridon Jashanica.
Kur u pyet nga avokati i tij mbrojtës, Muhamet Mehmeti se a ka dhënë deklaratë në Polici dhe Prokurori, Jashanica u deklarua se ka dhënë, por i qëndron prapa vetëm asaj të Prokurorisë, sepse në deklaratën e dhënë në Polici ka qenë shumë i stresuar, në gjendje shoku.
I pyetur se çka ka ndodhur me datën , i akuzuari Liridon Jashanica deklaroi se ai ishte ftuar nga shoku i tij A.Q. dhe Elton Lecaj që të dalin me disa vajza dhe me të mbërritur tek apartamenti në Prishtinë e kishte kuptuar se bëhej fjalë për shërbime seksuale me pagesë, dhe se vajzat ishin shtetase të huaja.
Kur e kishte kuptuar se vajzat që e ofronin shërbimin ishin dy, ndërsa këta ishin tre persona, Jashanica deklaroi se kishte vendosur të mos futej brenda. Sipas tij, deri sa A.Q. e Lecaj janë futur brenda, ky ka mbetur jashtë duke i prit. Deri sa ky ka qenë duke prit, i akuzuari Elton Lecaj ka dalë jashtë për ta ftuar prapë që të futet brenda, por Jashanica i ishte përgjigjur me jo.
I pyetur nga trupi gjykues se cili ka qenë qëllimi i atyre atë natë, Jashanica deklaroi se qëllimi i tyre ka qenë që kryejnë marrëdhënie seksuale. Seanca u ndërpre për shkak të çështjeve të natyrës urgjente të anëtarit të trupit gjykues, gjyqtarit Kushtrim Shyti.
Ky rast po gjykohet nga trupi gjykues në përbërje të Kryetarit Rrrahman Beqiri, si dhe anëtarët Kushtrim Shyti dhe Leon Përlaska. Çka thotë dosja e Prokurorisë për rastin?
Të pandehurit Fabiana Anais Cobos Vega dhe Batuhan Beyoglu akuzohen se nga viti 2019 deri më , duke vepruar si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, së bashku me persona të tjerë, me dashje dhe me qëllim përfitimi financiar, kanë organizuar, rekrutuar, transportuar, transferuar dhe strehuar gra dhe vajza nga Amerika Latine dhe shtete të tjera në Republikën e Kosovës.
Ata akuzohen se kanë kryer veprat penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, në lidhje me veprën penale “Trafikim me njerëz”, gjithashtu Beyoglu po akuzohet edhe për narkotik. Sipas aktakuzës, përmes kanosjes, përdorimit të forcës apo formave të tjera të shtrëngimit, viktimat janë detyruar të ofrojnë shërbime seksuale me pagesë.
Dy personat e tjerë, Liridon Jashanica dhe Elton Lecaj sipas aktakuzës, më , me qëllim të shfrytëzimit të shërbimeve seksuale me pagesë, përmes përdorimit të forcës dhe kanosjes, i kanë sulmuar viktimat e trafikimit dhe u kanë përvetësuar një shumë të parave në mënyrë të kundërligjshme. Ata akuzohen për veprat penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Grabitje”.
Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që pas shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat penale që u vihen në barrë, dhe ndaj tyre të shqiptohen dënime konform ligjeve në fuqi.
