Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka njoftuar se i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, përmes së cilës ka kërkuar që Aleanca Veriatlantike të mos e mbështesë hapjen e urës mbi Ibër në Mitrovicë.
Ai ka thënë se ka kërkuar që “komuniteti ndërkombëtar të marr hapa për t’u siguruar që Prishtina të implementojë dispozitat kryesore të Marrëveshjes së Brukselit 2013”. Në postimin, të cilit ia ka bashkëngjitur edhe një video, Vuçiq ka deklaruar se çështja e urës së Ibrit ka qenë objekt i dialogut, por se asnjëherë nuk është arritur marrëveshje për hapjen e saj.
Pas raportimit për kalimin gradual të monitorimit të urës së Ibrit nga trupat e KFOR-it te Policia e Kosovës, Bashkimi Europian ka deklaruar se nevojitet ende përmirësim në koordinim si dhe konsultime mes komunave dhe nivelit qëndror (për hapje të çdo lloj qarkullimi).
Në një përgjigje për KALLXO.com nëse janë plotësuar kushtet për hapjen e Urës së Ibrit, një zëdhënës i BE-së ka deklaruar se pas transferimit të qeverisjes lokale në veri, pas zgjedhjeve lokale, “koordinimi efektiv dhe konsultimet domethënëse ndërmjet komunave të përfshira dhe institucioneve në nivel qendror duhet të përmirësohen”.
“Qëndrimi i BE-së lidhur me urën ka qenë gjithmonë i qartë dhe është udhëhequr nga nevoja që ura t’u shërbejë të gjitha komuniteteve dhe komunave që ajo lidh, si dhe të kontribuojë në bashkëpunimin dhe marrëdhënie të mira mes tyre”- ka thënë BE më .
Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO, ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga Urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Kjo është bërë, siç është thënë, në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, si pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it. Kështu ka bërë të ditur Zyra për Informim Publik e KFOR-it, më .
Gjeneralmajori Ozkan Ulutash, komandanti i misionit të KFOR-it, sipas kësaj zyre, vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e tij kryesorë në institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë.
“Ky proces do të jetë gradual, i bazuar në kushte dhe po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”- thuhet në njoftimin e KFOR-it.
KFOR-i thekson se do të mbajë një prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe Mitrovicën e Veriut, si dhe në veriun e Kosovës, duke vazhduar të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet.
“Personeli ynë është i pozicionuar në mënyrë të përshtatshme për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant, në përputhje me mandatin e kahershëm të KFOR-it të bazuar në Kombet e Bashkuara”- ka thënë KFOR. Ura kryesore mbi Ibër është e mbyllur për vetura që nga paslufta. Në Mitrovicë, më , u vunë gurthemelet për dy ura të reja mbi lumin Ibër, me një kosto prej afro 3 milionë euro.
Të dyja janë lëshuar për qarkullim. Njëra prej tyre është lëshuar për qarkullim për vetura dhe këmbësorë në fund të gushtit 2025 kurse tjetra në dhjetor 2025.
