Kërkesa e Bashkimit Evropian që çdo hap drejt hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër të shoqërohet me koordinim ndërmjet institucioneve qendrore të Kosovës dhe komunave veriore me shumicë serbe, si dhe me konsultime me komunitetin lokal, ka nxitur reagime të forta.
Politologu Adnan Qaka e konsideron këtë qasje të Brukselit të njëanshme dhe të dëmshme për Kosovën, duke kërkuar që të njëjtat standarde për të drejtat individuale dhe kolektive të zbatohen edhe ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anita Hipper, më 18 gusht deklaroi se qëndrimi i BE-së mbetet i pandryshuar dhe se çdo veprim lidhur me urën duhet të paraprihet nga koordinimi efektiv dhe konsultimet kuptimplota. Ajo kërkoi gjithashtu që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.
Ura aktualisht është e hapur për këmbësorë, por vazhdon të jetë e mbyllur për automjetet. Deklarata e Brukselit vjen disa ditë pasi KFOR-i konfirmoi nisjen e një tranzicioni gradual të pranisë së tij të përhershme në këtë urë.
Ura mbi Ibër, e cila lidh pjesën jugore me shumicë shqiptare me pjesën veriore me shumicë serbe të Mitrovicës, prej vitesh mbetet një nga pikat më të ndjeshme politike dhe të sigurisë në Kosovë. Hapja e saj për qarkullim të automjeteve ishte paraparë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi dhe, sipas planit të zbatimit të vitit 2016, duhej të realizohej në janar të vitit 2017.
Edhe pse revitalizimi i urës përfundoi në vitin 2018, pas një investimi prej 1.5 milionë eurosh, ajo asnjëherë nuk u hap për automjete. Përpjekjet e institucioneve të Kosovës për ta hapur atë janë shoqëruar me kundërshtimin e serbëve lokalë dhe me kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë që çdo ndryshim të bëhet në koordinim me ta.
Sipas Qakës, hapja e urës nuk duhet parë vetëm si një veprim fizik apo politik, por si rezultat i një procesi më të gjerë të menaxhimit të sigurisë dhe vlerësimit të rrezikut.
“Hapja e urës mbi lumin Ibër nuk duhet të vlerësohet vetëm si një akt fizik, politik apo institucional, por si rezultat i një procesi shumë më të gjerë të menaxhimit të sigurisë, të vlerësimit të situatës dhe të ndërtimit të kapaciteteve operative.
Përtej momentit simbolik të hapjes, ajo që ka rëndësi profesionale është ambienti i sigurisë që është krijuar, mënyra se si është analizuar rreziku, si janë identifikuar indikatorët e mundshëm të përshkallëzimit dhe si janë organizuar strukturat për ta parandaluar çdo situatë që mund të cenonte rendin dhe sigurinë publike” , ka deklaruar politologu Adnan Qaka.
Megjithatë, Qaka e vlerëson si të papranueshëm dhe të dëmshëm reagimin e Bashkimit Evropian, të cilin e konsideron të njëanshëm. Ai thotë se të drejtat që gëzojnë serbët në Kosovë duhet të krahasohen me gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ku, sipas tij, vazhdon të ketë diskriminim, segregacion dhe mungesë të të drejtave.
“Reagimi i Bashkimit Evropian është tejet i papranueshëm dhe tejet i dëmshëm për shtetin e Kosovës dhe i njëanshëm. Të gjitha të drejtat individuale dhe kolektive që i gëzojnë pakicat serbe në Kosovë, do të duhej së paku të njëjtat të drejta t’i gëzonin edhe shqiptarët në rajonin e Luginës së Preshevës, që po përballen me segregacion dhe spastrim etnik, mungesë pothuajse totale të çdo të drejte, frikësim nga autoritetet e sigurisë së Serbisë, pengim të investimeve nga shteti i Kosovës në atë rajon dhe vetë shteti serb, duke e lënë rajonin si rajonin më të prapambetur në Serbi” , shprehet Qaka.
Sipas tij, një tjetër problem është pasivizimi i adresave, përmes të cilit, siç pretendon ai, Serbia po ndikon në mënyrë sistematike në depopullimin e Luginës së Preshevës. “Përmes pasivizimit të adresave, shteti serb në mënyrë sistematike po e depopullon atë rajon. Shqiptarët janë duke u larguar nga ky terror sistematik serb që po ndodh në vazhdimësi.
Në krahinën e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, nuk po respektohet vullneti plebishitar i shprehur dhe i manifestuar me referendumin e 1-2 marsit 1992, për barazi dhe gëzim të të drejtave individuale dhe të drejtave kolektive, si dhe për autonomi politike e territoriale të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ”, thotë ai.
Qaka thekson se, sipas tij, nuk po merret parasysh as sakrifica e shqiptarëve të kësaj treve në mbrojtje të pragut, dinjitetit dhe identitetit të tyre, përfshirë luftën e armatosur të UÇPMB-së.
Ai shton se Serbia nuk po e zbaton Marrëveshjen e Konçulit të 20 majit 2001 dhe se, sipas tij, nuk kanë gjetur zbatim të plotë as marrëveshjet e tjera të nënshkruara me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të kësaj krahine në vitet 2001, 2009, 2013 dhe 2022. “Nuk po përfillet sakrifica në mbrojtje të pragut, dinjitetit dhe identitetit, mbrojtja përmes luftës së armatosur nga UÇPMB-ja.
Nuk po zbatohet nga Serbia Marrëveshja e Konçulit e 20 majit 2001, por nuk ka zbatueshmëri edhe për të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të kësaj krahine në vitet 2001, 2009, 2013 dhe 202 2”, deklaron Qaka. Politologu përmend edhe pasivizimin e adresave të qytetarëve shqiptarë në Luginë.
Sipas tij, bëhet fjalë për mbi 25 mijë qytetarë shqiptarë të cilëve u janë pasivizuar adresat, duke pretenduar se rreth çdo i katërti qytetar i kësaj krahine nuk figuron në evidencat civile. “Janë mbi 25 mijë qytetarë shqiptarë që u janë pasivizuar adresat, apo çdo i katërti qytetar i kësaj krahine nuk figuron në evidencat civile; kemi një pasivizim alarmant të adresave” , thotë Qaka.
Ai rendit edhe një sërë problemesh që, sipas tij, përballojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës, duke përfshirë mungesën e shkollimit universitar në gjuhën amtare, mungesën e një spitali rajonal për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, moskthimin e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë dhe nevojën për kthimin e gjykatës në Preshevë.
Qaka kërkon gjithashtu përfaqësim me vende të rezervuara në Parlamentin e Serbisë dhe përfaqësim proporcional të shqiptarëve në strukturat shtetërore, në instancat lokale dhe qendrore.
“Jo vetëm që mohohet shkollimi në nivel universitar në gjuhën amtare, por mungon spitali rajonal për pacientët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, nuk është kthyer lapidari i dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë, duhet të kthehet gjykata në Preshevë, duhet përfaqësimi me vende të rezervuara në Parlamentin e Serbisë; fatkeqësisht, kemi një mos-përfaqësim proporcional në strukturat shtetërore, në të gjitha instancat lokale dhe qendrore”, shprehet ai.
Sipas Qakës, shqetësuese është edhe gjendja në sektorin e sigurisë. Ai thotë se nuk ka një stacion policor në Luginën e Preshevës dhe pretendon se që nga viti 2016 nuk është pranuar asnjë polic shqiptar në këtë shtet. “Nuk ka një stacion policor në Luginën e Preshevës dhe, nga viti 2016, nuk është pranuar asnjë polic shqiptar në këtë shtet.
Serbia, përveç të tjerash, vazhdon të mbjellë frikë, përdorimin e gjuhës së urrejtjes, racizëm dhe ksenofobi, diskriminim në kulturë, në informim, në investime, mohim sistematik shtetëror, diskriminim klasik”, deklaron Qaka. Ai e lidh këtë gjendje edhe me praninë e lartë ushtarake dhe të sigurisë në zonën kufitare.
“Militarizim më të lartë pothuajse në të gjithë BE-në, ku ka 48 minibaza në zonën tokësore të sigurisë në këtë rajon, dhe është instaluar një psikozë, nën tendenca të vazhdueshme për shpërngulje, arsimilim dhe spastrim etnik”, thotë Qaka.
Në këtë kontekst, politologu e akuzon BE-në se po lejon atë që ai e cilëson si diskriminim sistematik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe e konsideron këtë një çështje të standardeve të dyfishta. “BE-ja tani lejon këtë diskriminim sistematik; është diskriminim klasik i strukturuar dhe është një provë kredibiliteti, pasi kemi respektim të standardeve vetëm në një drejtim.
Duhet të praktikohet reciprociteti: standard të njëjtë për të gjitha të drejtat individuale dhe kolektive që i gëzojnë pakicat serbe në Kosovë, do të duhej së paku të njëjtat të drejta t’i gëzonin edhe shqiptarët në rajonin e Luginës së Preshevës dhe gjithandej Serbisë ”, shprehet ai.
Qaka thekson se komuniteti serb në Kosovë gëzon një numër të gjerë të drejtash politike dhe institucionale të garantuara me Kushtetutë, duke përfshirë përfaqësimin në Kuvend përmes vendeve të rezervuara, përdorimin zyrtar të gjuhës, vetëqeverisjen lokale dhe përfaqësimin proporcional në institucione.
“Pakicat serbe në Kosovë i gëzojnë të drejtat e gjera dhe të garantuara me Kushtetutë, në një nivel më të avancuar në të gjithë BE-në, të drejtash politike dhe institucionale, duke përfshirë të drejtat e përfaqësimit në Parlamentin e Kosovës me vende të rezervuara, deri te përdorimi zyrtar i gjuhës dhe vetëqeverisja lokale në komuna, përfaqësim proporcional në Qeveri, Parlament, gjykata, prokurori, kryetarë të komunave, komandantë të stacioneve të Policisë së Kosovës dhe zinxhirin komandues të Policisë së Kosovës dhe FSK-së” , thotë Qaka.
Ai përmend edhe institucionet arsimore dhe shenjat e trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë, duke pretenduar se komuniteti serb ka universitete në Mitrovicën e Veriut dhe se në hapësirat e banuara prej tij janë vendosur shtatore dhe lapidare.
“Pakicat serbe në Kosovë kanë universitetet në Mitrovicën e Veriut, gjithashtu kanë vendosur shtatore të ndryshme nga trashëgimia e tyre kulturore dhe lapidare me kriminelë serbë që kanë marrë pjesë në krimin e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë; pra, në të gjitha poret e jetës kanë përfaqësim.
Me një fjalë, në asnjë shtet të BE-së nuk zbatohen dhe nuk i gëzojnë si të drejtat e pakicës serbe si në Kosovë”, deklaron politologu. Qaka e zgjeron kritikën edhe ndaj emisarëve të Bashkimit Evropian që kanë qenë të angazhuar në dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas tij, ata kanë ndjekur një diskurs të njëjtë dhe, në vlerësimin e tij, me standarde të dyfishta ndaj shqiptarëve në Serbi dhe serbëve në Kosovë. “Të gjithë emisarët e BE-së, pa dallime, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, kanë ndjekur diskursin e njëjtë me standarde të dyfishta nga BE-ja për pakicën shqiptare në Serbi dhe pakicën serbe në Kosovë”, thotë Qaka.
Duke iu kthyer çështjes së urës mbi Ibër, Qaka e interpreton kërkesën e BE-së si një presion politik ndaj Kosovës dhe si përpjekje për të zbehur atë që ai e konsideron sukses të institucioneve të Kosovës në veri.
“Kërkesa e Bashkimit Evropian mund të kuptohet si një presion politik ndaj shtetit të Kosovës për t’ia zbehur ose minimizuar pothuajse suksesin e plotë të Kosovës në atë pjesë, duke luftuar organizatat terroriste ortodokse serbe, krimin e organizuar, ekonominë joformale, kontrabandën dhe vënien e sigurisë, edhe pse ende atje ka mjaft punë për t’u bërë që shteti i Kosovës ta krijojë një siguri të plotë dhe një fuqizim të sovranitetit”, shprehet ai.
Sipas tij, presioni ndërkombëtar duhet të drejtohet ndaj Beogradit dhe serbëve lokalë në Kosovë, me qëllim që të pranohet realiteti i Kosovës së pavarur dhe të shmangen ndarjet e bllokadat.
“Mendoj se presioni politik duhet të bëhet mbi Beogradin dhe serbët lokalë në Kosovë që ta pranojnë realitetin dhe të jetojnë së bashku në Kosovën e pavarur, të mos krijojnë ndasi e bllokada, siç kanë bërë serbët në mbi dy dekada nga paslufta në Kosovë”, deklaron Qaka.
Ai e konsideron urën e Ibrit një kufi psikologjik që, sipas tij, për vite ka ndarë qytetin dhe ka penguar qarkullimin e lirë të qytetarëve. “Ura e Ibrit ka qenë një kufi psikologjik dhe jo shtetëror që, fatkeqësisht, e kishte ndarë shtetin dhe e pengonte qarkullimin e lirshëm të qytetarëve shqiptarë me çdo automjet.
BE-ja, me këtë rast, dëshiron ta zvarrisë këtë çështje dhe t’i japë sinjal Beogradit se nuk ka përkrahjen tonë, ani pse në prapaskenë mund të jetë e kundërta; sidoqoftë, kjo është thirrje e tyre për një zvarritje dhe është rrezik i madh që çështja e urës, nga një vendim teknik, të kalojë në vendim politik” , thotë Qaka.
Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të kenë komunikim të drejtpërdrejtë me Bashkimin Evropian dhe t’ia bëjnë të qartë se hapja e urës nuk cenon sigurinë e komunitetit serb, por mund të shërbejë si instrument për integrim dhe zhvillim ekonomik.
“Shteti i Kosovës duhet të ketë komunikim me Bashkimin Evropian dhe t’ia bëjë të qartë se ndërtimi i urave dhe hapja e tyre nuk cenojnë sigurinë e qytetarëve serbë që jetojnë atje; kjo paraqet siguri dhe integrim të komuniteteve dhe prosperitet ekonomik”, deklaron ai.
Qaka shton se, sipas vlerësimit të tij, serbët lokalë kanë refuzuar për afro tri dekada të integrohen në shtetin e Kosovës dhe vazhdojnë të jenë, siç pretendon ai, instrument destabilizues i Beogradit.
“Janë vetë serbët që nuk po duan tash e pothuajse tri dekada nga paslufta në Kosovë të integrohen në shtetin e Kosovës dhe vazhdojnë të jenë instrument destabilizues i Beogradit kundër shtetit të Kosovë s”, shprehet Qaka. Në fund, politologu argumenton se çështja e urës nuk duhet të mbetet peng i politikave që prodhojnë ndarje dhe standarde të dyfishta.
Sipas tij, nëse BE-ja kërkon respektimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve, atëherë të njëjtat standarde duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë.
“Çështja e urës mbi Ibër nuk mund të mbetet peng i një politike që prodhon ndarje, frikë dhe standarde të dyfishta; nëse Bashkimi Evropian kërkon demokraci, të drejta të njeriut, sundim të ligjit dhe siguri për të gjitha komunitetet, atëherë këto standarde duhet të jenë të njëjta, të zbatueshme dhe të matshme në të dyja anët e kufirit.
Kosova nuk mund të kërkohet vazhdimisht të dëshmojë përgjegjësinë e saj, ndërsa diskriminimi sistematik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës të trajtohet si çështje dytësore” , thekson Qaka. Ai përmbyll duke kërkuar që të drejtat e komuniteteve të mos përdoren si instrument politik vetëm ndaj Kosovës, por të trajtohen si parim universal.
“Respektimi i të drejtave të komuniteteve nuk mund të jetë instrument politik vetëm kur i kërkohet Kosovës; ai duhet të jetë parim universal, pa standarde të dyfishta, pa tolerim të diskriminimit dhe pa relativizim të realiteteve.
Hapja e urës mbi Ibër duhet të shihet si hap drejt integrimit, lëvizjes së lirë, sigurisë dhe funksionimit normal të shtetit të Kosovës, ndërsa presioni ndërkombëtar duhet të orientohet aty ku ekzistojnë pengesat reale për normalizim, integrim dhe bashkëjetesë” , thotë ai.
Në këtë frymë, Qaka e mbyll qëndrimin e tij me një mesazh se qëllimi i urave duhet të jetë lidhja dhe jo thellimi i ndarjeve, ndërsa standardet evropiane, sipas tij, kanë kuptim vetëm nëse zbatohen njësoj ndaj të gjithëve.
“Sepse urat ndërtohen për të bashkuar njerëzit, jo për të legalizuar ndarjet, ndërsa standardet evropiane kanë kuptim vetëm atëherë kur zbatohen njësoj për të gjithë, pavarësisht përkatësisë etnike, territorit apo interesit politik” , përfundon politologu Adnan Qaka.
