Një aksident i rëndë ujor me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar pasditen e sotme në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin. Sipas informacioneve, dy skafe janë përplasur me njëri-tjetrin në det. Si pasojë, një 25 vjeçari Klaus Gjergji ka humbur jetën, ndërsa Uran Marku është plagosur rëndë dhe është transportuar në spitalin e Lezhës.
Sipas të dhënave, të dy të rinjtë janë nga zona e Bërdicës. Dyshohet se viktima është rrëzuar nga gomonia, dhe më pas është goditur nga helikat. I plagosuri raportohet se ka marrë dëmtime të rënda, ndërsa ende nuk ka të dhëna të tjera të konfirmuara mbi gjendjen e tij shëndetësore.
“Një aksident i rëndë detar ka ndodhur në zonën e Rënës së Hedhur, në Shëngjin, ku dy mjete lundruese, skafe, janë përplasur me njëri-tjetrin. Si pasojë e përplasjes, një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës, ndërsa vijojnë veprimet për nxjerrjen e personave të përfshirë në aksident dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Policia dhe autoritetet detare kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e përplasjes.” -thuhet në njoftimin paraprak të policisë. Priten informacionet më të detajuara.
Ky është rasti i dytë i rëndë me mjete lundruese i regjistruar në vend brenda 24 orëve. Ditën e djeshme, dy varka turistike u përplasën në Liqenin e Komanit, teksa po transportonin pushues drejt Lumit të Shalës. Nga përplasja mbetën të plagosur lehtë pesë persona, mes tyre edhe një turist i huaj. Dyshohet se shpejtësia e lartë ka qenë një nga shkaqet e aksidentit në Koman.
Ngjarja e sotme në Shëngjin fatkeqësisht pati pasoja më të rënda.
