Siguria në trafik, prioritet kombëtar!

0%

49 persona të pafajshëm kanë humbur jetën gjatë këtij viti në rrugët e trafikut në Republikën e Kosovës. Kjo shifër është jo vetëm shqetësuese, por edhe alarmante, me pasoja fatale, pa i llogaritur personat e lënduar dhe dëmet materiale, të cilat kanë kosto në ekonominë familjare dhe në buxhetin e kompanive të sigurimit.

Nuk ka dyshim se, pas luftës në Kosovë, automjeti (vetura) është bërë ëndërr apo nevojë e familjeve në jetën e përditshme, qoftë për përdorim privat apo për zhvillimin e bizneseve ekonomike.

Kështu u hapën shkel e shko shumë autoshkolla, të cilat më shumë punuan dhe u angazhuan për interesat e tyre materiale e biznesore, sesa që u përkushtuan për aftësimin, trajnimin dhe përgatitjen profesionale të shoferëve. Një numër i madh i kandidatëve morën patentë-shoferin pa u aftësuar sa duhet në aspektin profesional.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Lajmet e përditshme për aksidentet me fatalitet po e shqetësojnë opinionin, duke shkaktuar dhimbje dhe pasiguri nëpër rrugët tona, gjithandej Kosovës. Javëve dhe muajve të fundit, në aksidentet në komunikacion humbën jetën kryesisht persona të moshës së re, të cilët, në ditët më të bukura të rinisë, u sollën familjeve të tyre dhimbje dhe momente të territ familjar.

Është interesante të theksohet se, nga ky numër i personave që humbën jetën në aksidentet e komunikacionit, disa prej tyre ishin djem të vetëm të familjeve të tyre.

Kjo gjendje alarmante, e cila po i ndodh Republikës së Kosovës, duhet t’i obligojë dhe detyrojë institucionet përkatëse të sigurisë së shtetit dhe Qeverinë që, sa më parë, të hartojnë një plan operativ kombëtar, duke i ashpërsuar rregullat dhe sanksionet përmes ligjeve, në mënyrë që të parandalohen sa më shpejt katastrofat fatale nëpër rrugët e Kosovës.

Patjetër se edhe në autoshkolla duhet të ndryshojnë rregullat e lojës, duke i licencuar vetëm ato që garantojnë me sukses se detyrën dhe misionin e aftësimit dhe trajnimit të kandidatëve për patentë-shofer mund ta përfundojnë vetëm individët që e meritojnë.

Patjetër se autoshkollat nëpër qendra të ndryshme të Kosovës duhet të monitorohen në mënyrë permanente nga institucionet përkatëse të ministrive që janë kompetente për sigurinë në trafik. Mjerisht, deri tani me patentë-shofer janë pajisur kandidatë shkel e shko, pa u përgatitur si duhet, por përmes formave të ndryshme abuzive kanë arritur të pajisen me leje.

Përgjegjësi për ndryshimin e gjendjes së sigurisë nëpër rrugët tona kanë edhe shkollat dhe fakultetet, në të cilat gjenerata e re, përpos arsimit dhe lëndëve shkencore e shoqërore, duhet ta ketë si imperativ të kohës edhe çështjen e edukimit dhe sjelljes.

Andaj, sa më shumë që të vonohet apo të zvarritet reformimi në këtë sferë të sigurisë, dëmet dhe pasojat do të jenë gjithnjë e më dramatike. Në këtë drejtim, patjetër duhet të kontribuojë edhe sistemi i drejtësisë, duke i aplikuar masat më drastike ndaj atyre që nuk e respektojnë ligjin dhe rregullat në komunikacion dhe që ua marrin jetën njerëzve të pafajshëm.

Për të gjitha këto që i thamë më lart, Qeveria dhe institucionet e shtetit janë të obliguara që, si prioritet mbi prioritetet e angazhimit në projektet zhvillimore, ta fusin çështjen e sigurisë në komunikacionin rrugor si nevojë dhe prioritet kombëtar.

Burimi: Bota Sot