Max Verstappen i ka dhënë fund spekulimeve për të ardhmen e tij në Formula 1. Holandezi firmosi një zgjatje të kontratës me Red Bull, deri në fund të vitit 2030. 28-vjeçari i cili ka fituar katër tituj në Formula 1, kishte një marrëveshje që e mbante te Red Bull deri në fund të vitit 2028.
Megjithatë, kontrata përfshinte klauzola të lidhura me performancën, të cilat i jepnin mundësi pilotit holandez të largohej nëse skuderia nuk arrinte objektivat e përcaktuara. Disa prej këtyre klauzolave besohet se ishin aktivizuar tashmë gjatë këtij sezoni, duke ushqyer spekulimet për një largim të mundshëm të Verstappen.
Megjithatë, piloti holandez ka zgjedhur të vazhdojë aventurën me skuadrën austriake deri në vitin 2030. Vendimi vjen në një moment jo të lehtë për skuadrën. Pas 11 garave të sezonit aktuale, Red Bull renditet në vendin e katërt në klasifikimin e konstruktorëve, ndërsa Verstappen është i gjashti në renditjen e pilotëve, 110 pikë pas kryesuesit, Kimi Antonelli.
Pavarësisht rezultateve, Verstappen kishte tërhequr vëmendjen e disa prej skuadrave më të mëdha të kampionatit. Emri i tij ishte lidhur me një transferim të mundshëm te McLaren, që ka siguruar shërbimet e inxhinierit të tij të garës, Gianpiero Lambiase, nga viti 2028, si dhe me Mercedesin, aktualisht në krye të kampionatit.
