Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se operacionet në veri për armatim dhe municion janë zhvilluar nga 6 deri më 17 gusht, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës.
“Me qëllim të parandalimit dhe sekuestrimit të armëve ilegale, Policia e Kosovës, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës dhe Drejtorinë e Hetimit të Krimeve të Luftës, nga data 6 gusht deri më datën 17 gusht ka zhvilluar disa operacione policore për zbulimin e armëve ilegale në zonën e komunës së Zubin Potokut”.
“Këto operacione janë ndërmarrë pas pranimit të informatave në rrugë të ndryshme operative dhe në bashkëpunim me qytetarë të ndryshëm, mbi dyshimet për posedim të armëve ilegale”, tha Hoxha. Sipas tij, pas pranimit dhe verifikimit të informatave, janë realizuar kontrolle në 45 lokacione, ku janë gjetur armë, municion dhe mjete të tjera të dyshuara të kundërligjshme.
Hoxha bëri të ditur se në mesin e armëve të konfiskuara janë 20 mitralozë, 11 armë të gjata AK-47, 22 armë të gjata të llojeve të ndryshme, 27 pushkë gjuetie, nëntë pistoleta dhe një pushkë ajrore. “Po ashtu janë gjetur dhe municione gjithsej 4,831 copë municione të kalibrave të ndryshëm.
Plus, plus nuk mund të jetë për shkak që mund t’i shihni më vonë, do të keni mundësinë për një për një pamje. Po ashtu janë gjetur dhe pjesë të armëve, shumë tatujta, kondakë, karikatorë, optikë për armë, kaseta armatimi dhe po ashtu rreth 10 pesha apo magazina.
Janë gjetur gjithashtu edhe shumë pajisje të tjera ushtarake, që të mos i emërojmë të gjitha, thika ushtarake, gazmaska, 10 palë dylbi, radiolidhje, mbajtëse për radio, sepata ushtarake, arka druri për municione dhe mjete të tjera ushtarake të cilat janë gjetur konfiskuar.
Po ashtu është gjetur një numër i madh i uniformave, çanta ushtarake, këmisha ushtarake të ushtrisë së Serbisë, policisë së Serbisë dhe pajisje të tjera që ndërlidhen me pjesën ushtarake.
Po ashtu janë sekuestruar dhe dokumentacione, dokumentacione të mbrojtjes territoriale të Ish-Jugosllavisë, kartela të veteranëve të luftës, dokumente personale me numra serikë, ditarë të rojeve të pyllit dhe dorëshkrime të tjera të ndryshme për qëllime luftarake, leje të armëve të shkurtra, leje të armëve të gjuetisë dhe po ashtu leje të tjera të skaduara.
Po ashtu gjatë operacioneve janë gjetur dhe sekuestruar edhe mjete monetare, para në vlerën prej 9,600 euro dhe po ashtu 5,000 franga”, u shpreh Hoxha./Telegrafi.
