Sot zhvillohet protesta e 82-të, ku qytetaret kërkojnë largimin dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në protestë ka folur edhe profesori Lush Susaj, i cili e ka përqendruar fjalën e tij te akuzat për korrupsion dhe pasojat që ai ka sjellë në arsim, mjedis dhe çështjen e pronësisë.
Susaj u bëri thirrje qytetarëve të angazhohen për mbrojtjen e pasurive natyrore dhe pronave, duke akuzuar qeverinë se po favorizon ndërtime në zonat pyjore. “Korrupsioni ka shkatërruar gjithçka, korrupsioni ka shkatërruar shkolla, universitetet, ka shkatërruar pyjet, ka shkatërruar pronësinë.
Shqiptarit këtu i thonë që je në vendin tënd, por realisht shqiptari nuk ndihet pronar i tokës së vet. Kjo është kërdia që ka ndodhur. Pyjet ruhen vetëm nëse populli ndihet pronar i tyre. Unë i bëj thirrje popullit të dalin të mbrojnë pasurinë e gjyshërve, mos prisni qeverinë.
Kjo qeveri tenton ti djegë, kërkon të futë ndërtime”, tha profesor Susaj, i cili theksoi se “në emër të socialistëve të Shqipërisë, po bëhet kjo e keqe”.
