Katër punëtorë të KEK-ut humbën jetën këtë vit, Sindikata: Duam

0%

Sindikata e Re e KEK-ut ka reaguar pas aksidenteve tragjike në vendin e punës, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të kalojnë nga reagimi pas ngjarjeve te parandalimi i tyre. Sipas Sindikatës, vetëm gjatë vitit 2026 kanë humbur jetën katër punëtorë të KEK-ut: Mixhen Sadiku, Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe Arbenit Ahmeti.

Në reagimin e publikuar në Facebook, Sindikata ka kritikuar faktin që pas çdo aksidenti tragjik ka ngushëllime dhe premtime për masa, por, sipas saj, mungon një sistem që do t’i identifikonte dhe eliminonte rreziqet para se ato të merrnin jetë. “Problemi është se nuk po u paraprihet situatave të rrezikshme.

Nuk po ndërtohet një sistem që e identifikon dhe eliminon rrezikun para se ai të marrë jetë”, thuhet në reagim. Sindikata ka theksuar se çështja e sigurisë në punë nuk lidhet vetëm me aspektin teknik, por edhe me mënyrën e menaxhimit dhe kulturën e punës në KEK. Sipas saj, punëtorët që përballen me kushte të rrezikshme duhet të ndihen të lirë t’i raportojnë ato pa pasur frikë nga pasojat.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Punëtori duhet të dëgjohet para se të ndodhë aksidenti, jo vetëm të kujtohet pasi të ndodhë tragjedia”, thuhet më tej në reagim. Sindikata ka kërkuar nga menaxhmenti i KEK-ut, Bordi, ministria dhe strukturat e tjera përgjegjëse që të ndërmarrin masa konkrete parandaluese. “Katër jetë të humbura vetëm brenda një viti duhet të jenë alarm serioz për të gjithë.

Mixhen Sadiku, Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe Arbenit Ahmeti nuk duhet të bëhen vetëm pjesë e një komunikate ngushëllimi dhe më pas të harrohen”, thuhet në reagim. Në fund, Sindikata ka kërkuar ndryshim në mënyrën e menaxhimit të sigurisë në punë. “Nuk duam më reagime pas tragjedive. Duam veprime para se të humbet jeta e radhës”, përfundon reagimi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com