Nga çmimi i naftës në Lindjen e Mesme tek faturat në supermarket, bare e restorante. Ndonëse tensionet gjeopolitike ndodhen mijëra kilometra larg Shqipërisë, efekti i tyre po mbërrin gjithnjë e më shumë në xhepat e shqiptarëve. Inflacioni në vend arriti në 3.4%, më i lartë se mesatarja e Eurozonës prej 2.9%. Ndërsa nuk është vetëm nafta ajo që po shtrenjtohet.
Shtrenjtimi i çmimeve në Shqipëri po vijon pothuajse sa në Europë, ndërsa ne, si shtet, qëndrojmë 0.5% mbi normën mesatare. Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit nga INSTAT tregon se ky indeks u ngjit në 3.4% në korrik, nga 2.5% që ishte një vit më parë.
Kjo do të thotë se për të gjithë qytetarët, të cilët më parë një shportë mallrash dhe shërbimesh u kushtonte 100 lekë një vit më parë, mesatarisht sot kushton rreth 103.4 lekë. Konflikti në Lindjen e Mesme ka goditur tregjet e energjisë dhe transportit.
Nafta Brent është rikthyer rreth 92 dollarë për fuçi, ndërsa pasiguria rreth furnizimeve përmes Ngushticës së Hormuzit po mban tregjet nën presion. Për Shqipërinë, të dhënat e INSTAT tregojnë se nafta nuk po ndikon vetëm te karburanti që hedhim në makinë. Transporti u shtrenjtua me 4.6% brenda një viti. Por për familjet shqiptare, goditja më e drejtpërdrejtë është te ushqimet.
Ushqimet dhe pijet joalkoolike u rritën me 3.2% dhe dhanë kontributin më të madh në inflacion, me 1.09 pikë përqindjeje. Ndërkohë, sezoni turistik po reflektohet te shërbimet. Restorantet dhe akomodimi u shtrenjtuan me 3.6%, ndërsa argëtimi, sporti dhe kultura me 8.5%.
E regjistruar dhe si rritja më e fortë mes kategorive kryesore, duke treguar se inflacioni nuk po kufizohet vetëm te produktet bazë. Vetë Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar se rritja e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare ka qenë një faktor kryesor i rritjes së inflacionit në vend.
Nëse do të krahasoheshim me vendet e eurozonës, Shqipëria qëndron në 10-shen më të shtrenjtë të shtrenjtimit të çmimeve. Lituania regjistron dhe normën më të lartë të inflacionit me 5.6%, pasuar nga Bullgaria me 4.1%, Spanja 3.8%, Kroacia 3.6%, ndërsa Shqipëria fare pranë, në 3.4%.
E renditur në këtë pozicion, sfida tani për Shqipërinë është nëse ky presion i çmimeve do të mbetet i përkohshëm apo do të kthehet në një valë më të madhe shtrenjtimi.
