Filmi “Dua” i Blerta Bashollit hap edicionin e 18-të të PriFest

0%

Filmi kosovar “Dua”, me regji të Blerta Bashollit, do të rikthehet në Prishtinë këtë shtator, ku do të ketë nderin të hapë edicionin e 18-të të PriFest – Prishtina International Film Festival. Lajmi është bërë i ditur nga organizatorët e festivalit përmes një postimi në Facebook, ku e kanë cilësuar rikthimin e filmit në Kosovë si një moment me rëndësi të veçantë.

“Dua” është një histori e lindur në Kosovë dhe e realizuar nga artistë e profesionistë kosovarë, e cila ka udhëtuar përtej kufijve të vendit. Tashmë, filmi do të rikthehet në Prishtinë për t’u prezantuar para publikut kosovar në ekranin e madh.

Filmi trajton tema si adoleshenca, miqësia, identiteti dhe rezistenca, duke e vendosur ngjarjen në sfondin e një prej periudhave më të vështira të historisë së afërt të Kosovës. Në kastin e filmit janë aktorët Pinea Sylejmani, Vlera Bilalli, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Kaona Sylejmani, Andi Bajgora, Fiona Abdullahu dhe Arben Bajraktaraj.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Regjinë e filmit e ka bërë Blerta Basholli, ndërsa skenari është shkruar nga Basholli dhe Nicole Borgeat. Montazhi është realizuar nga Enis Saraçi, ndërsa drejtor i fotografisë është Lucie Baudinaud. Producentët e “DUA” janë Valon Bajgora, Thomas Reichlin, Britta Rindelaub, Agon Uka dhe Yll Uka, ndërsa bashkë-producentë janë Amaury Ovise dhe Olivier Pere.

Filmi është një bashkëprodhim mes Kosovës, Zvicrës dhe Francës. Pas një rrugëtimi ndërkombëtar, “Dua” do të rikthehet në vendin e origjinës për të hapur festivalin, duke shënuar nisjen e gjashtë ditëve të mbushura me filma, histori, takime dhe aktivitete kulturore. PriFest e ka përmbledhur këtë rikthim me një mesazh simbolik: “Dua po vjen në shtëpi”.

Burimi: Telegrafi