Publicisti Adriatik Riza Dosti ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke e akuzuar për një sërë qëndrimesh dhe vendimesh që, sipas tij, dëmtojnë interesat kombëtare shqiptare.
Në një shkrim me tone të forta, Dosti e krahason debatin e sotëm politik me figurën historike të Esat Pashë Toptanit, duke ngritur pyetjen se përse historia shqiptare e ka cilësuar këtë të fundit si simbol të tradhtisë, ndërsa, sipas tij, nuk përdoret i njëjti standard për veprimet e kryeministrit aktual.
“Shqiptarë, mësojeni mirë historinë tuaj kombëtare… tradhetari quhet Edvin Rama e jo Esat Pasha”, shkruan Dosti. Ai rendit një varg çështjesh për të cilat e kritikon Ramën, duke përmendur pranimin e armëve kimike të Sirisë, marrëveshjen për kampet e refugjatëve me Italinë, çështjen e Butrintit, marrëdhëniet me Serbinë dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, si dhe projektet në Sazan e Karaburun.
Dosti e akuzon gjithashtu Ramën për qëndrime që, sipas tij, cenojnë interesat e Kosovës, duke përmendur nismën “Open Balkan” dhe deklaratat rreth veriut të Kosovës e Mitrovicës. Në shkrim përmenden edhe çështja e konsullatave shqiptare dhe serbe në Shkodër e Bujanoc, ideja për krijimin e një Shteti Bektashi në Tiranë, si dhe debati për ndryshimet territoriale dhe bashkitë në Shqipëri.
Një pjesë të rëndësishme të reagimit Dosti ia kushton edhe largimit të shqiptarëve nga vendi. Ai pretendon se gjatë qeverisjes së Ramës janë larguar mbi një milion shqiptarë dhe e akuzon qeverinë për politika që, sipas tij, po ndryshojnë përbërjen demografike të Shqipërisë. Këto janë pretendime të autorit dhe jo të dhëna të verifikuara në këtë reagim.
Duke iu referuar edhe protestave dhe zhvillimeve të fundit në Shqipëri, Dosti shprehet se Rama do të përballet me pasoja politike për veprimet e tij.
Në fund, publicisti ngre një pyetje të drejtpërdrejtë: “Çfarë duhet të ndodhë më tjetër me Shqipërinë tonë të gjorë, të vjedhur, të grabitur, të poshtëruar, shitur e tradhtuar që Edvin Rama të quhet tradhtar?” Dosti e mbyll reagimin duke kritikuar atë që e konsideron si një standard të dyfishtë në histori dhe politikë, duke argumentuar se shqiptarët duhet ta rishikojnë mënyrën se si gjykojnë figurat historike dhe politike.
Shkrimi i plotë: Shqiptarë, mësojeni mirë historinë tuaj kombëtare… Tradhtari quhet Edvin Rama e jo Esat Pasha. E nisi me pranimin e armëve kimike të Asadit të Sirisë, por fatmirësisht revolta e fuqishme popullore ia plasi bombën në dorë. E vazhdoi me kampet italiane të refugjatëve brenda territorit shqiptar, në Shëngjin e në Gjadër, dhe iu ul disa herë në gjunjë Melonit si langaraq.
Butrintin, identitetin tonë kombëtar, ia ka shitur Lord Jakob Rothschild prej disa vitesh. Kryeministri i parë shqiptar (pas E. Hoxhës, në vitin 1948) që vizitoi Beogradin dhe që më pas priti me tapet të kuq e ceremoni shtetërore në Tiranë kriminelin serb Vuçiq. Ka bërë një marrëveshje të fshehtë e të pisët për Detin me grekët, së cilës shumë shpejt do t’ia dëgjoni mirë daullen.
Përzuri gjatë qeverisjes së tij mbi 1 milion shqiptarë nga Atdheu i tyre dhe po e mbush Shqipërinë me aziatikë, afrikanë, ruso-sllavë e hebrenj… jo rastësisht e jo pa qëllim. Skandali i Zvërnecit, që ka provokuar revoltën popullore marathonomake 80-ditore në Tiranë e në mbarë Shqipërinë… absolutisht që do të ketë një fund të hidhur për të.
Ka shitur, veç të tjerash, edhe Sazanin e Karaburunin, për të cilët shumë shpejt do ta mësoni historinë e “vërtetë turistike” të tyre. Kërkon të hapë konsullatë serbe në Shkodër dhe, në shenjë “reciprociteti”, edhe një konsullatë shqiptare në tokën shqiptare të Bujanocit, të okupuar nga Serbia. Territorin e shenjtë shqiptar të Veriut të Kosovës, e veçmas Mitrovicën, e quan tokë të askujt.
Krijoi së bashku me kriminelin serb Vuçiq “Open Balkanin” – një thikë pas shpine për Kosovën. Kërkon të shkrijë 15 bashki të vendit, shumë prej tyre me identitet dhjetëra vjeçar. Kërkon të krijojë Shtetin Bektashi në mes të Tiranës e në territor shqiptar, duke shkelur në mënyrë flagrante Nenin 1 të Kushtetutës së Shqipërisë.
Më thoni tani, çfarë nga këto ose të ngjashme me kësi lloj tradhtish të rënda kombëtare bëri Esat Pasha, që ende sot shqiptarët dhe historia e tyre kombëtare, e shkruar për së mbrapshti e prej “fitimtarëve” që kanë qenë në pushtet, vazhdon ta konsiderojë atë si simbol të tradhtisë kombëtare?
Fatkeqësisht, jemi i vetmi vend në botë ku gdhihësh Hero e ngrysësh Tradhtar, ku bustet i ngremë për këta të fundit dhe nga historia fshijmë ata që meritojnë Monumente e që realisht janë heronjtë tanë të vërtetë.
Çfarë duhet të ndodhë më tjetër me Shqipërinë tonë të gjorë, të vjedhur, të grabitur, të poshtëruar, shitur e tradhtuar, që Edvin Rama të quhet tradhtar dhe që shqiptarët të mos vazhdojnë më kurrë të dëgjojnë atë shprehjen përbuzëse, neveritëse e antishqiptare të tij: “Daleni, daleni se s’keni parë gjë akoma ju…”?!