Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Ibish Çoçajt, i dyshuar për falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim, pas dyshimeve se përmes një biznesi privat ka lëshuar diploma profesionale pa qenë i akredituar apo autorizuar për një veprimtari të tillë. Sipas vendimit të Gjykatës, Çoçaj do të qëndrojë në paraburgim për një muaj, masë e cila mund të zgjasë deri më .
Çoçaj dyshohet se gjatë vitit 2021, në Prizren, përmes biznesit individual “Qendra për Verifikimin e Aftësive Profesionale”, ka ofruar trajnime dhe ka lëshuar dokumente që paraqiteshin si diploma të vlefshme të aftësimit profesional, ndonëse biznesi, sipas Gjykatës, nuk ishte i akredituar apo i autorizuar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve për lëshimin e kualifikimeve profesionale.
“Ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase ”, thuhet në njoftimin e Gjykatës, e cila thekson se provat e mbledhura deri në këtë fazë e arsyetojnë dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale.
Dyshimet për diploma të falsifikuara Sipas dosjes së përshkruar nga Gjykata, Çoçaj dyshohet se nga 4 janari deri më ka shtypur dhe lëshuar “Diploma mbi aftësimin profesional”, në të cilat pretendohej se pjesëmarrësit kishin përfunduar me sukses 900 orë praktikë dhe 400 orë teori, si dhe se kishin kaluar provimin përfundimtar.
Dokumentet, sipas dyshimit të Prokurorisë të përshkruar në vendim, janë lëshuar me qëllim që të përdoren si dokumente origjinale dhe për përfitim të kundërligjshëm pasuror. Në njoftimin e Gjykatës thuhet se Çoçaj “duke u paraqitur rrejshëm se lëshon dokumente të vlefshme”, u ka ofruar personave trajnime për aftësim profesional dhe më pas i ka pajisur ata me diploma.
Dëmi mbi 50 mijë euro Gjykata ka bërë të ditur se nga veprimet për të cilat dyshohet Çoçaj, personave të dëmtuar u është shkaktuar dëm material, ndërsa përfitimi monetar apo dëmi i shkaktuar dyshohet se ka tejkalur shumën prej 50 mijë eurosh. Rasti ka të bëjë me veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390, paragrafi 1, dhe “Mashtrimi”, nga neni 323, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Gjykata vlerëson rrezik për dëshmitë Një nga arsyet kryesore për caktimin e paraburgimit, sipas Gjykatës, lidhet me nevojën për sigurimin e provave të tjera dhe shmangien e ndikimit të mundshëm mbi personat që do të dëshmojnë në këtë rast. “Ekziston rreziku që i pandehuri të ndikojë tek të dëmtuarit me qëllim të ndryshimit të deklaratave të mëhershme” , thuhet në arsyetimin e Gjykatës.
Sipas vendimit, hetimet ende janë në zhvillim dhe pritet të sigurohen prova të tjera materiale, të merren dëshmi nga të dëmtuarit dhe dëshmitarët, si dhe deklarata e të dyshuarit.
Gjykata ka vlerësuar se, duke marrë parasysh peshën e veprave penale dhe mënyrën e rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer ato, masa e paraburgimit është e nevojshme për të garantuar zhvillimin e papenguar të procedurës.
