Bujqit në Istog kërkojnë kompensim për dëmet nga breshëri: Tash

0%

Kuvendi Komunal i Istogut ka miratuar raportin e Komisionit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga breshëri, ndërsa bujku Nazmi Blakaj ka kërkuar që ky vendim të pasohet me kompensim konkret nga Qeveria e Kosovës, raporton Telegrafi. Blakaj, përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar Komisionin dhe anëtarët e Kuvendit Komunal për angazhimin në vlerësimin e dëmeve.

“Një falënderim i veçantë për Komisionin dhe për të gjithë anëtarët e Asamblesë Komunale për punën, angazhimin dhe mbështetjen ndaj fermerëve”, ka shkruar Blakaj. Megjithatë, ai ka thënë se tani përgjegjësia për kompensimin e dëmeve mbetet te Qeveria e Kosovës. “Tash topi mbetet te Qeveria e Kosovës për kompensimin e këtyre dëmeve.

Nëse kjo kërkesë dhe ky raport nuk mbeten vetëm një letër e shkruar në akull, që shkrihet nga dielli, por shndërrohen në kompensim konkret, atëherë fermerët do të kenë një falënderim të madh për shtetin”, ka deklaruar ai.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Bujku istogas kritikon ministrin Muja: Mjaft me fjalë boshe, nuk kërkojmë mëshirë – por drejtësi dhe dëmshpërblim Sipas Blakajt, kompensimi do t’u mundësonte fermerëve të vazhdojnë aktivitetin bujqësor edhe gjatë vitit të ardhshëm.

“Kompensimi do t’u japë fermerëve shpresë që vitin e ardhshëm të vazhdojnë të punojnë, të investojnë dhe të prodhojnë për vendin”, ka shkruar ai, shkruan Telegrafi. Ai ka paralajmëruar se mungesa e mbështetjes pas dëmeve mund të ndikojë edhe në prodhimin vendor.

“Në të kundërtën, nëse fermerët nuk mbështeten pas dëmeve të shkaktuara nga breshëri, rrezikojmë që prodhimi vendor të dobësohet edhe më shumë dhe Kosova të bëhet gjithnjë e më e varur nga importi i produkteve bujqësore nga shtetet e rajonit”, ka thënë Blakaj. Në këtë drejtim, ai ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së fermerëve për prodhimin vendor dhe sigurinë ushqimore.

“Prandaj, mbështetja e fermerëve është edhe mbështetje për prodhimin vendor dhe për sigurinë ushqimore të vendit”, ka shkruar ai. Blakaj ka thënë se fermerët nuk kërkojnë mëshirë, por mbështetje për dëmet që u janë shkaktuar.

“Ne nuk kërkojmë mëshirë, por mbështetje për punën dhe mundin e fermerëve”, ka deklaruar ai, duke e përmbyllur reagimin me thirrjen: “Tash presim që fjala të kthehet në vepër!”. / Telegrafi

Burimi: Telegrafi