Bashkimi Evropian ka konfirmuar se është njoftuar nga NATO-ja për tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të misionit të KFOR-it nga ura e Ibrit në Mitrovicë. Sipas BE-së, ky proces lidhet me ndryshimin gradual të pranisë së KFOR-it në këtë pikë strategjike, ndërsa theksohet rëndësia e koordinimit dhe ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit në veri të Kosovës.
Tranzicioni pritet të zhvillohet në mënyrë të kujdesshme, duke marrë parasysh situatën e sigurisë në terren. Anëtari i Guxo, Lun Gacaferi, e ka cilësuar të vonuar, por të mirëpritur, lëvizjen e NATO-s nga ura e Ibrit dhe Manastiri i Deçanit. Ai tha se ky veprim tregon përmirësimin e sigurisë në Kosovë dhe besimin e NATO-s në profesionalizmin e Policisë së Kosovës.
Sipas Gacaferit, marrja e urës nën kontroll nga institucionet e Kosovës përbën një arritje të rëndësishme në shtrirjen e sovranitetit në të gjithë territorin. “Unë mendoj se kjo lëvizje e NATO-së, sa i përket urës së Ibrit, është i vonë por më mirë vonë se kurrë!
Sigurisht që largimi i ushtarëve të NATO-së, nga ura e Ibrit por edhe nga Manastiri i Deçanit, tregon qartë se siguria në Kosovës është stabilizuar jashtëzakonisht shumë! Por këto lëvizje të NATO-së, tregojnë shumë edhe për besimin në policinë e Kosovës e cila po e bënë punën e vet për mrekulli dhe shumë profesionalisht!
Por ajo që neve duhet të na gëzojë më së shumti, është fakti se me marrjen nën kontroll të urës së Ibrit nga policia e Kosovës, serbëve dhe Serbisë ju vdes çdo shpresë që kufiri mes Kosovës e Serbisë të jetë mbi urën e Ibrit, kurse për Kosovën është kulminacioni i arritjeve të qeverisë Kurti, për ta shtrirë sovranitetin në çdo cep të Kosovës”, deklaroi ai për “Bota sot”.
