Pas kontestimit të pyetjeve të provimit pranues në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, Inspektorati i Arsimit është aktivizuar pasi kanë marrë ankesa nga kandidatët që nuk janë pranuar në studime. Në një pyetje të provimit pranues të Fakultetit të Mjekësisë, pas ankesave të kandidatëve, u pranuan dy përgjigje të sakta.
Kurse, në një pyetje tjetër të provimit ka pasur gabim teknik në çelësin e saj dhe është vendosur të merret e saktë një përgjigje tjetër. Kjo situatë ka ndikuar në renditjen përfundimtare të kandidatëve dhe me vendim të Universitetit, kandidatët e pranuar në Fakultetin e Mjekësisë ende nuk po regjistrohen deri në sqarimin e rastit.
KALLXO.com ka siguruar procesverbalin e inspektimit në Fakultetin e Mjekësisë. Inspektimi është realizuar më , ndërsa thuhet se kanë pranuar 14 ankesa nga kandidatët gjatë periudhës 15 deri .
Inspektorati i Arsimit ka konstatuar se komisionet profesionale i kanë pranuar dy alternativa si përgjigje të sakta për të njëjtën pyetje “në kundërshtim me rregullat e përcaktuara nga Fakulteti i Mjekësisë dhe me njoftimin paraprak të publikuar për kandidatët, sipas të cilit për secilën pyetje vetëm një alternativë konsiderohet përgjigje e saktë.” Sipas Inspektoratit, Komisioni për Provimin Pranues të Fakultetit të Mjekësisë nuk ka kryer rivlerësim të pavarur të përmbajtjes shkencore të pyetjeve të testit pranues, por është mbështetur në konstatimet e komisionieve profesionale dhe në gjetjet e Raportit të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave.
“Për rrjedhojë, roli i Komisionit për Provimin Pranues në këtë fazë është kufizuar në rillogaritjen e pikëve dhe zbatimin administrativ të rezultateve, në përputhje me konstatimet dhe rekomandimet e organeve kompetente.” – thuhet në raportin e Inspektoratit të Arsimit.
Inspektorati i Arsimit e ka kritikuar raportin e ankesave të Komisionit që i ka shqyrtuar ankesat e kandidatëve në Fakultet. “Raportet e hartuara nuk kanë një strukturë të qartë dhe nuk përmbajnë vlerësim individual për secilën ankesë. Po ashtu, ato nuk përfshijnë një përfundim apo vendim të arsyetuar për secilin rast.” – thuhet në raport.
Inspektorati i Arsimit i ka rekomanduar Fakultetit të Mjekësisë që të formojë një komision profesional për verifikimin e saktësisë së pyetjeve dhe alternativave të përgjigjeve për të cilat janë ngritur dilema nga kandidatët.
“Komisioni profesional duhet të kryejë një rishikim të hollsishëm të pyetjeve të testit dhe alternativave të përcaktuara duke u bazuar në përmbajtjen e kurrikulës përkatëse, tekstet shkollore të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe materialet mësimore të përdorura gjatë procesit të mësimdhënies në arsimin e mesëm të lartë.” – kanë shtuar në raport Inspektorati.
Pas këtij verifikimi të pyetjeve, Inspektorati ka rekomanduar rivlerësimin e të gjitha testeve përkatëse për pyetjet e kontestuara. Duke qenë se nuk ka shkruar një afat me datë të caktuar për realizimin e rivlerësimit të testeve, KALLXO.com e ka pyetur Inspektoratin e Arsimit se pse nuk e kanë përcaktuar këtë afat.
“Duke pasur parasysh se rekomandimi lidhet me një çështje që ka rëndësi edhe në funksion të fillimit të vitit të ri akademik, është vlerësuar se trajtimi i saj duhet të bëhet me prioritet dhe pa vonesa.
Megjithatë, nuk është përcaktuar një datë konkrete për përfundimin e procesit, për shkak se zbatimi i rekomandimit kërkon shqyrtim profesional dhe veprime konkrete nga institucioni përgjegjës.” – thuhet në përgjigjen e Inspektoratit, më .
Për komisionet profesionale, Komisionin e Provimit Pranues dhe Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave, Inspektorati ka rekomanduar që të mbajnë raporte të detajuara për punën e zhvilluar, si dhe të nxjerrin vendime individuale dhe përgjigje të arsyetuara për secilën ankesë.
Universitetit të Prishtinës i është rekomanduar krijimi i një banke institucionale të pyetjeve për testin pranues të Fakultetit të Mjekësisë. Edhe për këtë rekomandim, Inspektorati nuk është se ka shkruar një datë të caktuar në raport.
Banka e pyetjeve është kërkuar edhe nga profesorët e menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë, pasi vlerësojnë se kjo e lehtëson punën e përpilimit të pyetjeve të provimit, pa pasur nevojë të izolohen profesorët deri në përfundimin e provimit.
Kurse, Ministrisë së Arsimit, Inspektorati i Arsimit i ka rekomanduar ta shqyrtojë mundësinë e rishikimit dhe përditësimit të teksteve shkollore për lëndët e Biologjisë dhe Kimisë.
Edhe në këtë rekomandim, Inspektorati i Arsimit nuk ka lënë një afat të realizimit, për çka është arsyetuar për KALLXO.com duke thënë se “trajtimi i çështjes së rishikimit të teksteve kërkon shqyrtim profesional dhe institucional.” “Inspektorati nuk ka përcaktuar një datë konkrete për përfundimin e procesit, pasi mënyra dhe dinamika e trajtimit të kësaj çështjeje janë në kompetencë të institucionit përgjegjës.
Përcaktimi i afatit “me pranimin e këtij procesverbali” ka pasur për qëllim që çështja të vihet në trajtim nga institucioni përgjegjës pas pranimit të Procesverbalit, në përputhje me kompetencat dhe procedurat përkatëse.” – kanë thënë nga Inspektorati. KALLXO.com nga data e ka pyetur për këtë rekomandim Ministrinë e Arsimit dhe është në pritje të përgjigjeve.
Në anën tjetër, viti akademik në UP pritet të fillojë më , kurse afati i dytë i pranimit të studentëve të rinj për vendet e mbetura edhe në Fakultetin e Mjekësisë dhe fakultetet tjera pritet të fillojë në javën e parë të shtatorit. Më , KALLXO.com raportoi për kontestimin e pyetjeve të provimit pranues të Fakultetit të Mjekësisë.
Rektori i UP-së, Arben Hajrullahu kishte thënë për KALLXO.com se e kanë ndaluar regjistrimin e kandidatëve të pranuar në Fakultetin e Mjekësisë deri në sqarimin e rastit. “Nuk mundemi ne me regjistru studentë në SEMS [Sistemin Elektronik të Menaxhimit të Studentëve] e tani me dal me thanë – jo ti nuk qenke, po veç te kemi regjistru, e po të çrregjistrojmë. Jo, jo. Këtë nuk do ta lejojmë…
Kjo çështje duhet m’u sqaru gjithsesi para se me fillu afati i dytë [i pranimit të studentëve]. Nuk e paragjykoj.” – ka deklaruar Hajrullahu, më .
Hajrullahu tha se “këto lëshime në Fakultetin e Mjekësisë janë sipas të gjitha gjasave jo lëshime, gabime njerëzore apo teknike, po janë lëshime me paramendim.” KALLXO.com pranoi dy ankesa në lidhje me rivlerësimin e provimit pranues të disa kandidatëve.
Ankuesit deklaruan se “pranimi i dy alternativave si të sakta vetëm për një grup kandidatësh, krijon pabarazi në procesin e vlerësimit” dhe sipas tyre, “ndikon drejtpërdrejt në renditjen përfundimtare të kandidatëve.” Nga Fakulteti e kanë konfirmuar për KALLXO.com, se shtatë kandidatë që u pranuan sipas listës preliminare të rezultateve, pas vendimeve për pyetjet e kontestuara, u hoqën nga lista përfundimtare dhe në vend tyre u pranuan shtatë të tjerë.
Hajrullahu tha se udhëzuesi i Universitetit për provimin pranues e thotë qartë se në pyetjet e këtij provimi ka vetëm një përgjigje të saktë. Provimi pranues në Fakultetin e Mjekësisë u mbajt më . Lexoni më shumë për deklarimet e profesorëve që përpiluan pyetjet e provimit pranues në lajmin në vazhdim.
