Ish-ministri ukrainas i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, ka bërë thirrje për zgjedhje në kohë lufte, në atë që shihet gjerësisht si sfida më e madhe për presidencën e Volodymyr Zelenskyt që nga pushtimi i plotë i Rusisë katër vjet e gjysmë më parë, ka raportuar të mërkurën () televizioni britanik, BBC .
“Demokracia nuk mund të mbahet peng nga Rusia”, ka thënë Fedorov, 35 vjeç, në një video të postuar në YouTube të martën, duke shtuar se Ukraina po lufton “pikërisht sepse duam të mbetemi shtet i lirë europian”. Që nga shpërthimi i luftës më 2022, Ukraina është në gjendje të jashtëzakonshme, që do të thotë se zgjedhjet janë pezulluar.
Fedorov, i cili në video nuk e përmendi Zelenskyn me emër, ishte shkarkuar papritmas muajin e kaluar nga posti i ministrit të Mbrojtjes, vetëm gjashtë muaj pas emërimit. Zelensky ende nuk i është përgjigjur videos së Fedorovit, shkarkimi i të cilit kishte nxitur protesta në mbarë vendin.
Gjatë mandatit të tij si ministër shumë i popullarizuar i Mbrojtjes, Fedorov u vlerësua për energjinë që ia kishte dhënë Ministrisë së Mbrojtjes, drejtimin e një fushate kundër korrupsionit dhe përdorimin e të dhënave për të analizuar dhe për të përmirësuar performancën në vijën e parë të frontit.
Shkarkimi i tij pranohet gjerësisht se ka qenë i lidhur me tensionet ndërmjet tij dhe komandantit të përgjithshëm të ushtrisë, Oleksandr Syrskyi. Brenda disa ditësh, Syrskyi u zëvendësua gjithashtu, ndërsa protestat në rritje që kërkonin rikthimin e Fedorovit në detyrë shtuan presionin ndaj presidentit ukrainas.
Fedorovit iu ofruan poste të tjera në qeveri, përfshirë zëvendëskryeministrin për inovacionin ushtarak, por 35-vjeçari ka thënë se do të kthehej vetëm si ministër i Mbrojtjes. Disa orë para se Fedorov të postonte videon, Zelensky konfirmoi se i kishte kërkuar parlamentit ta konfirmojë ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Yevhenii Khmara. Votimi do të bëhet më vonë të mërkurën.
Fedorov në videon në YouTube nuk ka dhënë asnjë shenjë lidhur me planet e tij politike, duke u përqendruar në nevojën për një “mekanizëm ligjor, të sigurt dhe realist që do t’i lejojë Ukrainës të rivendosë një proces të plotë demokratik edhe në mes të luftës së zgjatur”.
Thirrja e tij për zgjedhje ka zemëruar disa komentues ukrainas, përfshirë ata që mbështetën rikthimin e Fedorovit si ministër i Mbrojtjes. Një nga kritikët e Zelenskyt ka argumentuar se edhe kundërshtarët më të ashpër të qeverisë e kuptojnë se është e pamundshme mbajtja e zgjedhjeve gjatë luftës.
Mandati pesëvjeçar presidencial i Zelenskyt ka përfunduar në maj 2024, por sipas kushtetutës së Ukrainës nuk mund të mbahen zgjedhje derisa është në fuqi ligji ushtarak. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
