Gazetari Gëzim Mekuli ka reaguar pas takimit mes VV-së dhe LDK-së për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e presidentit. Mekuli shprehet se, nëse LDK-ja ka vullnet që presidenti të zgjidhet pa shkuar në zgjedhje, atëherë ende ka shpresë për një marrëveshje. Ai i bën thirrje Lumir Abdixhikut që interesi i Kosovës të vendoset mbi atë partiak.
Sipas tij, Kosova nuk ka nevojë për një krizë të re politike, ndërsa thekson rëndësinë e tejkalimit të ngërçit institucional dhe ruajtjes së stabilitetit të vendit. Postimi i plotë: Ka shpresë për Kosovën Rubikoni duhet kapërcyer, jo Kosova Nëse LDK-ja ka vullnet që Kosova të zgjedhë Presidentin pa shkuar në zgjedhje, atëherë ka ende një fije arsyeje në politikën tonë.
Le të shpresojmë se Abdixhiku e ka logjikën në kokë dhe se kësaj radhe interesi i Kosovës do të jetë mbi hesapet e partisë së tij të shkallmueme. Unë do të përgëzoja këtë marrëveshje jetike për Kosovën dhe për shqiptarët në rajon: Sepse i pakorruptuari Albin Kurti, është nga ata politikanë intelektual që lindin një herë në njëqind vjet.
Të pajtohesh apo të mos pajtohesh me të, është çështje tjetër; por pesha e Kurtit sot në historinë gjeologjike politike të Kosovës shqiptare nuk mund të mohohet e as të bagatelizohet. Kosova sot nuk ka nevojë për një tjetër krizë artificiale: krizë e pompuar nga mafia politike, mediatike dhe ekonomike e Prishtinës: ka nevojë për mendje të kthjellët dhe jo emocione e as inate kanunore.
E them këtë sepse Vuçiqi po pret në kufi! BIA e Serbisë ka gjuajtur rrjetin në Kosovë…; mediat shqiptare dhe analistët e tyre të korruptuar, po e helmojnë komunikimin publik; po e sulmojnë AKI-në, Qeverinë, Policinë dhe çdo gjë që ka themel identiteti shqiptar; Janë këta bllokues e manipulues që e çuan edhe UÇK-në në Hagë.
Të nderuar lexues, Sot, nesër a pasnesër, duhet kapërcyer Rubikoni; për hatër të sakrificës së shqiptarëve që nga 1878-ta e deri më sot; për hatër të UÇK-së, hatër të Zotit e të Kosovës, e për inati të Serbisë hitleriane.
