Kombëtarja shqiptare U-21 do të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026″. Trajneri Alban Bushi ka publikuar listën e futbollistëve që do të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë kompeticion të rëndësishëm ndërkombëtar. Pas publikimit të listës, ai ka folur për fshf.org për pritshmëritë, objektivat dhe rëndësinë e këtij turneu për një grup të ri futbollistësh kuqezi.
“Jemi shumë të motivuar që Shqipëria do të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare. Për ne nuk është thjesht një turne, por një mundësi për të treguar karakterin, personalitetin dhe mentalitetin e futbollit shqiptar. E dimë që grupi është shumë i fortë, Italia, Kosova dhe Algjeria.
I respektojmë shumë këto skuadra, por do të shkojmë atje jo thjesht për të qenë pjesëmarrës, por për t’i konkurruar ato. Objektivi ynë është që të kualifikohemi. E dimë që është e vështirë, por futbolli nuk fitohet vetëm me emra dhe histori, por me organizim, besim dhe mbi gjithçka për të luftuar për çdo top. Lista është pothuajse krejt e re.
Është një listë me lojtarë të datëlindjeve shumë të vogla, 2006, 2007 dhe 2008 që do të jenë sezonin tjetër me ekipin shpresa. Edhe për ata është një mundësi e mirë për të treguar vlerat e tyre dhe për t’u matur me futbollin europian.
Pavarësisht se nuk janë në gjendje optimale sepse kampionati i Kategorisë së Parë nuk ka filluar akoma, po unë mendoj që do të jetë një performancë shumë e mirë”, – tha Bushi. Trajneri i Kombëtares U-21 vlerëson gjithashtu sfidën e parë ndaj Italisë dhe kohën e shkurtër në dispozicion për përgatitjen e skuadrës.
Bushi thekson se stafi teknik do të punojë për t’u përcjellë futbollistëve idetë dhe strategjitë e nevojshme për përballjen me një prej kundërshtarëve më të fortë të grupit. “Koha në dispozicion është shumë e vogël. Sot është e mërkurë dhe ne do të luajmë të shtunën me Italinë në orën . Do të mundohemi dhe ne si staf për të dhënë idetë dhe strategjitë tona se si do të luajmë ndaj Italisë.
Për ne çdo ndeshje do të jetë si një finale. Duhet të jemi shumë dinjitoz në performancën tonë dhe kemi shumë dëshirë që ta fitojmë këtë turne”, – tha Alban Bushi.
