Rita Jashari, “KUR FLET NATYRA”, poezi për fëmijë”, botues “LENA GRAPHIC”, Prishtinë 2026. 56 faqe dhe me ilustrime. ISBN 978–6 Rita Jashari është nxënëse e shkollës fillore dhe njëherazi edhe bashkëfshatarja ime, e lindur në Gërdoc të Llapit. Para pak ditësh, ajo doli para lexuesve me librin e saj të parë me vjersha, “Kur flet natyra”. Në pamje të parë, vjershat e Ritës janë të thjeshta.
Shumica janë të ndërtuara me tri ose katër strofa, ndërsa strofat përbëhen nga vargje të shkurtra. Shpeshherë, vargu i saj përbëhet edhe vetëm me nga një fjalë. Mirëpo, kjo thjeshtësi nuk duhet parë si mangësi. Përkundrazi, ajo lidhet me moshën e autores, me botën e fëmijës ose me syrin e saj vëzhgues. Rita e thotë dhe e shkruan atë që sheh, atë që ndien dhe atë që e përjeton.
Në vjershat e saj, natyra paraqitet me pamjen e saj të bukur duke u bërë natyra edhe mësuese e jetës. Në vjershat e saj dielli ndriçon, shiu e përqafon tokën, mali na mëson qëndrueshmërinë, uji na kujton rëndësinë e jetës, ndërsa bimët, kafshët, lulet e frutat bëhen pjesë e një bote ku njeriu duhet të jetojë në harmoni me natyrën dhe duhet ta mbrojë atë.
Këtë e dëshmon vjersha “Dielli”, ku poetesha e vogël shkruan: I shndritshëm si flori. Asnjëri s’ia ka zili. Në tokë bën dritë, fëmijët nuk i mërzit. Dhe më tej: Njerëzit i do, nuk i bezdis. Dielli do çdo fëmijë. fq.5 Në këtë vjershë, Rita nuk përshkruan vetëm diellin si burim drite. Ajo e shndërron atë në një figurë të dashurisë dhe mirësisë.
Për të dielli ndriçon të gjithë, pa bërë dallime. Edhe në vjershën “Shiu” poetesha bënë një këndvështrim të ngjashëm. Pikat e shiut “përqafojnë tokën e etur”, ndërsa “muzika e shiut” mbi çati bëhet sikur një këngë, andaj shiu si dukuri natyrore komunikon me tokën e me njerëzit duke na mësuar se shiu nuk është vetëm lagështi apo mot i keq; ai është edhe jetë, është gjallëri.
Në vjershën “Mali”, natyra merr një tjetër kuptim: MALI Borë në dimër, diell në verë. Qëndron i fortë si kështjellë. Mali hesht, por shumë na thotë. Na mëson të jemi të fortë. Qëndron mali shekuj plot, shikon botën poshtë e lart. fq.18 Mali gjithnjë qëndron përballë dimrit, verës dhe kalimit të shekujve.
Prandaj, kur Rita Jashari thotë se mali “na mëson të jemi të fortë”, ajo nuk është më vetëm duke përshkruar një mal. Ajo po nxjerr një mësim për jetën, andaj edhe njeriu duhet të jetë i qëndrueshëm dhe të mos dorëzohet lehtë. Kjo mënyrë e të kuptuarit të natyrës përsëritet në shumë vjersha të tjera.
Derisa vjersha “Guri” lidhet me qëndrueshmërinë; “Livadhi” me qetësinë; “Bleta” me anët pozitive; sikurse edhe vjersha “Bimët” me jetën dhe ushqimin; ndërsa “Drithërat” na kujtojnë rëndësinë e bukës duke marrë një karakter edukativ. Veçanërisht e rëndësishme është se Rita Jashari nuk e ndan njeriun nga natyra.
Në vjershën “Njeriu”, ajo shkruan se njeriu jeton në harmoni me natyrën, prandaj duhet me domosdoshmëri për ta ruajtur e kultuvuar më tej natyrën. Një veçori dalluese e këtij libri është përpjekja e shkrimtares për të respektuar rimën dhe ritmin. Siç e përmendëm edhe në fillim, vargjet e vjershave janë të shkurtra, të kapshme dhe të lehta për t’u lexuar.
Edhe aty ku vargu është vetëm me një fjalë, ai varg (ose ajo fjalë) mund të ketë funksionin e një ndalese. Vjershat e këtij vëllimi shoqërohen edhe me vizatime bardh e zi, të cilat janë një tjetër element i rëndësishëm i librit. Në shumë raste, ilustrimi e ndihmon lexuesin e vogël ta përfytyrojë më lehtë atë që vjershat e saj tregojnë.
“Kur flet natyra” është, një libër mjaftë i vogël dhe shpreh dëshirën për ta shndërruar botën në fjalë të mira. Rita Jashari e sheh natyrën, me sytë e një fëmije. Dhe pikërisht këtu qëndron bukuria e këtij libri. Sepse kur një fëmijë shkruan për diellin, malin, shiun, lulet, kafshët dhe stinët, në të vërtetë ai po shkruan edhe për botën e vet të brendshme.
Prandaj libri me vjersha “Kur flet natyra” është një ditar i sinqertë për të gjithë ne që e lexojmë: Ta dëgjojmë natyrën, ta duam atë dhe ta mbrojmë, jo të bëhemi shkatërruesit e saj.
Janë këto fjalë, këto mendime, për librin e parë të Rita Jasharit, e cila si nxënëse shembullore meriton këtë vëmendje kritike, këtë vlerësim nga bashkëvendasi i saj, dhe duhet ta pranoj si urimin më të sinqert për botimin e librit të parë. Prandaj urojë që ky vëllim me vjersha të jetë vetëm fillimi i një rruge të gjatë krijuese! Urime Rita Jashari, paq fat dhe suksese!
