Kosova dhe politikanët e saj sot kanë shumë nevojë të marrin shembullin e burrave dhe patriotëve të mëdhenj të saj. Kosova sot, sidomos politikanët e saj, duhet të sjellin në kujtesë dhe të tregojnë respektin dhe mirënjohjen më të madhe ndaj brezave të cilët sakrifikuan gjithçka, deri edhe jetën, për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe për Shqipërinë etnike.
Kosovë, qëndro fort, se je Kosova e Sulejman Vokshit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Idriz Seferit, Azem Bejtës, Adem Jasharit etj.
Politikanë të Kosovës, nëse keni burrërinë, fisnikërinë dhe patriotizmin e dëshmorëve dhe të heronjve të Kosovës, bëni një “sakrificë” shumë, shumë të vogël për interesin kombëtar: bëjeni atë dhe mos e mbani peng, mos e mbani në krizë institucionale shtetin shqiptar të Kosovës.
Nuk kërkohet ndonjë gjë e madhe që të “sakrifikoni”, por shkoni në Parlament dhe zgjidhni institucionet e Kosovës; zgjidhni Kryetarin e Parlamentit, Kryeministrin dhe Presidentin. Për këtë ju kanë votuar shqiptarët dhe ju kanë dërguar e zgjedhur si përfaqësues të tyre. Ju bëni detyrën kombëtare, sepse asgjë tjetër më shumë nuk kërkohet nga ju.
Populli, me taksat e tij, ju mban dhe ju paguan pikërisht për t’i shërbyer shtetit dhe qytetarëve, dhe jo për të krijuar kriza, korrupsion, hajni e tradhti, për të cilat tashmë keni hyrë në histori shumica e ju, përfaqësuesve kuvendarë, qeveritarë dhe pushtetarë, që po dëmtoni rendin, po krijoni tollovi dhe po dëmtoni imazhin e shtetit, gjë të cilën aq shumë e dëshirojnë armiqtë e kombit.
Politikanë të Kosovës, ju nuk po mundni të merreni vesh dhe as të pajtoheni ndërmjet veti për interesin kombëtar, dhe bëni sikur po “interesoheni” aq shumë për problemet globale, si për Ukrainën dhe për Lindjen e Mesme. Jeni duke ia bërë si Enver Hoxha, si puna e atij budallai që qeshte e tallej me të gjithë, por që të gjithë qeshnin me të.
Ju, politikanë të Kosovës, shumë prej jush, ato mandate deputeti, diplomati, ministri e shtetari i keni për merita të injorancës së thellë, akraballëkut fisnor, korrupsionit e servilizmit. Është e vështirë që Kosova të shohë ndonjë hajër të madh prej jush. Dhe prandaj Kosova i ka punët kështu siç i ka: tollovi gjithandej, sa po çuditen edhe miqtë ndërkombëtarë.
