Ministria jugkoreane e Mbrojtjes ka njoftuar se stërvitjet e përbashkëta ushtarake vjetore të Koresë së Jugut me SHBA-në do të reduktohen në gjashtë ditë sipas kërkesës së Uashingtonit, ka raportuar të mërkurën () BBC . Seuli ka njoftuar se “periudha dhe shkalla” e stërvitjes “Ulchi Freedom Shield 2026” është ndryshuar për shkak të “propozimit të palës amerikane”.
Stërvitja tani do të përfundojë më 21 gusht, në vend të 27 gushtit siç ishte planifikuar. Kjo vjen pasi Donald Trump shpalli planet për shkurtimin e kohës së stërvitjeve me Korenë e Jugut, duke cituar marrëdhënien e tij “shumë të mirë” me Kim Jong Unin e Koresë së Veriut.
Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Cho Hyun, ka njoftuar në një seancë dëgjimore parlamentare se as zyrtarët e Koresë së Jugut dhe as ata të SHBA-së nuk ishin njoftuar paraprakisht për planet e presidentit Trump.
Komponenti i stërvitjes së kombinuar në terren do të “reduktohet pjesërisht në përmasa”, ka deklaruar Seuli, duke vënë në dukje se ende po diskutohen “detajet specifike” të këtij reduktimi. Reduktimi i pashembullt ka tronditur besimin e Koresë së Jugut ndaj zotimit amerikan për t’i dalë krah, sipas paktit mbrojtës që është themeli i marrëdhënies së tyre.
Gjithashtu u dërgon një sinjal aleatëve të tjerë të SHBA-së në rajon, si Japonia e Tajvani. Njoftimi kumtohet pasi zyrtarët amerikanë i do t’i deklaronin gazetës “Wall Street Journal” se Trump po i shtyn ndihmësit e tij për një takim me Kim Jong Unin.
Trump ka shkruar gjatë fundjavës në Truth Social: “Këto stërvitje jo vetëm që janë të kushtueshme, me shumicën e këtyre kostove të paguara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (si zakonisht!), por dërgojnë sinjal që është krejtësisht i papërshtatshëm dhe armiqësor”.
Ai ka shtuar: “Ndërsa disi të palidhura (?), kohët e fundit e pyeta presidentin e Koresë së Jugut nëse do të donin të bashkoheshin me ne në Denuklearizimin e Republikës Islamike të Iranit, dhe ata thanë: ‘Jo faleminderit!’” Presidenti Trump, duke folur para gazetarëve në Zyrën Ovale të hënën, e ka lidhur vendimin me refuzimin e Koresë së Jugut “për të na dhënë pak dorë” me Iranin.
“Ne kemi 39 mijë ushtarë atje që ju ruajnë nga Kim Jong Un, fqinji juaj para derës, dhe ju nuk do të na ndihmoni në një operacion shumë të lehtë ushtarak në Iran”, ka theksuar ai. “Kjo është e çuditshme”. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
